Kurti priti delegatin apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovë

Kurti priti delegatin apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovë

Aktuale March 29, 2024 - 17:46

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe përfaqësuesin tonë për kontakt me Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari, mirëpriti sot delegatin apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovë, Jean Marie Speich.

Zyra e Kryeministrit njofton se bashkëbisedimi filloi me urimin e kryeministrit për Pashkët, i cili shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin e delegatit Speich, me të cilin ndau gjithashtu kujtime dhe përshtypjet e tij nga vizita në Vatikan dhe takimin me Papa Françeskun në qershor të vitit 2023.

"Ai e çmoi vullnetin e Papës për thellimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit. Hapjen e Misionit Special të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë në janar të këtij viti, kryeministri e veçoi si një zhvillim të rëndësishëm në përafrimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve", thuhet në njoftim.

Kurti gjithashtu ritheksoi vullnetin e qeverisë që të punojë ngushtë me Selinë e Shenjtë në promovimin e vlerave njerëzore dhe paqes, krahas raporteve dypalëshe.