Avokati i Popullit pranoi 1660 ankesa nga qytetarët për shkelje të të drejtave të njeriut
Foto: Laura Hasani

Avokati i Popullit pranoi 1660 ankesa nga qytetarët për shkelje të të drejtave të njeriut

Aktuale March 29, 2024 - 16:33

Avokati i Popullit i dorëzoi Kuvendit të Kosovës raportin vjetor për vitin 2023.

Sipas këtij raporti, gjatë vitit të kaluar Avokati i Popullit ka pranuar 1660 ankesa nga qytetarët e Kosovës, me pohime ankimore për shkelje të të drejtave dhe të lirive të njeriut nga autoritetet publike në Republikën e Kosovës, raporton Zeri.info.

Po ashtu, nga rastet e shqyrtuara gjatë këtij viti, autoriteteve u janë adresuar 836 rekomandime, nga të cilat 300 janë rekomandime nga hetimet e përfunduara në këtë vit, ndërsa 536 janë rekomandime janë të bartura nga viti paraprak, me afat zbatimi në vitin për të cilin raportohet.

“Zvarritjet në procedurat gjyqësore përbëjnë numrin më të madh të ankesave të pranuara duke u mohuar qytetarëve të drejtën për gjykim të drejtë. Ankesat tjera kanë të bëjnë me të drejtën për mjete juridike, me të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit, me mbrojtjen shëndetësore dhe sociale, me mbrojtjen e pronës, me barazinë para ligjit, me të drejtat e të akuzuarit, me të drejtat e fëmijës etj”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e autoriteteve, raporti

gjen se niveli i zbatimit është 28 për qind, dukshëm më i lartë se sa në vitet e kaluara, por megjithatë kërkohet më shumë angazhim dhe përkushtim për rritjen e zbatimit deri në arritjen e nivelit kur zbatohen të gjitha rekomandimet. /Zëri