Votuesit jashtë vendit për zgjedhjet e 21 prillit mund të regjistrohen deri më 3 prill
Foto: Laura Hasani

Votuesit jashtë vendit për zgjedhjet e 21 prillit mund të regjistrohen deri më 3 prill

Aktuale March 29, 2024 - 13:56

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton qytetarët me të drejtë vote se ka filluar periudha për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për procesin e votimit për ose kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

Gjatë kësaj periudhe, e cila do të përfundojë më 3 prill 2024, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës duke dërguar kërkesën e tyre përmes:

Platformës elektronike e cila është e vendosur në uebfaqen e KQZ-së http://www.kqz-ks.org: Regjistrohu për votim jashtë Kosovës për procesin e votimit më 21 prill 2024 (https://eomp.kqz-ks.org/sq/abroadvoter), duke ndjekur të gjithë hapat njëri pas tjetrit, ose Postës.

Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së http://www.kqz-ks.org (Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për votuesit > Votimi përmes postës) apo në vegzën: https://kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/

“Në rast të refuzimit të aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, KQZ-ja ka themeluar Komisionin për Kundërshtimin Administrativ, ku mund të parashtrohet kundërshtimi kundër njoftimit të KQZ-së.

Kundërshtimi administrativ mund të dërgohet përmes e-mailit, në: [email protected]”, thotë KQZ-ja në njoftim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj, pas regjistrimit, të votojnë përmes postës gjatë periudhës e cila fillon më 12 prill dhe përfundon më 20 prill 2024.