Pushteti pamundëson themelimin e komisionit hetimor për kontratat njëburimore

Pushteti pamundëson themelimin e komisionit hetimor për kontratat njëburimore

Aktuale March 28, 2024 - 13:08

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore.

Kjo pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në votim.

Gjatë diskutimit që ka zgjatur rreth tri orë, deputetët e opozitës e kanë akuzuar pushtetin për numër të madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë kësaj qeverisjeje.

Ata kanë kërkuar që Prokuroria të merret me hetimin e tyre. Por deputetët e pushtetit kanë thënë se themelimi i komisionit është ia panevojshëm dhe ka mohuar akuzat e opozitës se në këtë qeveri janë lidhur më shumë kontrata njëburimore se në qeveritë e kalaruar.

Shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka refuzuar t’i paraqesë në Kuvend pesë emrat e grupit të saj për komisionin hetimor, me arsyetimin se duhet të binden se opozita po kërkon zgjedhje fillimisht e pastaj i dërgojnë emrat.

“Shumë lartë e vlerësojmë ofertën për pesë anëtarë, ne frikësohemi se komisioni po i shtyn zgjedhjet e shumëkërkuara nga opozita dhe nuk po dimë a janë më me prioritet komisionet apo zgjedhjet. Derisa ta marrin vendimin dhe derisa të jemi të bindur se këta vërtetë po kërkojnë zgjedhje ne nuk i kemi këta 5 emra”, ka thënë ajo.

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka propozuar një datë për zgjedhje.

“Marrë parasysh josinqeritetin e këtyre dhe frikën për të shkuar ne e dimë që ajo ka qenë vetëm një lojë fjalësh sepse këta nuk guxojnë ta shpërndajnë kuvendin më 9 qershor. Nuk mundet me kaq lehtësi dhe me këtë sportivitet kaq të madh me anashkalu votimin e një komisioni hetimor”, ka thënë Tahiri.

Kurse Driton Selmanaj nga LDK-ja ka thënë se komisioni hetimor duhet të themelohet, ndërkohë ka treguar pozicionin e partisë për zgjedhje.

“Atë që mund të them në emër të LDK, ne kemi filluar me u dashuruar në postulatin hajnat në burg, por jo hajnat në zgjedhje. Ne po duam hajnat vërtetë të përfundojnë në burg. Mesa po e shohim LVV-ja po do me shku me postulatin hajnat në zgjedhje sepse po i duhen paratë për të bërë fushatë edhe një herë. Ne insistojmë në themelimin e komisionin hetimor”.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se LVV-ja po i ik temës së komisionit hetimor sepse ka frikë.

“Është një ikje nga tema nga komisioni hetimor që në fakt është frika e qeverisë me u ballafaqu me të vërtetën dhe mos emërimi i kandidatëve e vërteton pohimin tonë se tenderët njëburimorë janë vatra korruptive e kësaj qeverie”.