Tahiri: Kontratat njëburimore janë nënshkruar pa asnjë transparencë
Foto: Laura Hasani

Tahiri: Kontratat njëburimore janë nënshkruar pa asnjë transparencë

Aktuale March 28, 2024 - 10:53
Tahiri: Sfidë për prokurorët të hetojnë volumin e kontratave të nënshkruara në tavolinë, në vlerë 200 milionë euro

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se është e rëndësishme që si deputetë të Kuvendit të themelojnë komisionin hetimor parlamentar për kontratat njëburimore.

Tahiri ka kritikuar ministrat e qeverisë “Kurti”, që sot nuk po marrin pjesë në këtë seancë.

“Do të donim që të ishin edhe ministrat e kabinetit qeveritar, që kanë qenë realisht nënshkruesit e këtyre kontratave njëburimore, për të cilat kemi thirrur edhe këtë seancë. Si deputetë të opozitës javën e kaluar kemi pasur për qëllim që të kemi një diskutim së bashku që ta kemi arsyeshmërinë e këtyre kontratave…”, tha Tahiri.

Ai shtoi se në hulumtimin që kanë bërë si Grup Parlamentar për dy vjet, 2022-2023, janë nënshkruar 220 kontrata njëburimore në vlerë 153 milionë euro.

“Por kjo nuk është e gjitha, nga grupet tjera parlamentare që kanë bërë hulumtim më të gjerë del se vlera e këtyre kontratave shkon rreth 200 milionë euro”, tha Tahiri.

Ai shtoi se është sfidë jashtëzakonisht e madhe hetimi i këtyre kontratave.

“Me qenë 11 prokurorë me staf mbështetës është sfiduese me hetu volumin e madh të këtyre kontratave. Ne si deputet duhet ta kanalizojmë këtë çështje drejt prokurorisë”, tha ai.

Tahiri shtoi se këto kontrata janë të nënshkruara në një tavolinë nga një operator publik, pa transparencë.

Shefi i deputetëve të PDK-së i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet për këto kontrata.