AMMK: Gjendje e rëndë e ajrit në Kosovë
Foto: Laura Hasani

AMMK: Gjendje e rëndë e ajrit në Kosovë

Aktuale March 28, 2024 - 10:50

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e Kosovës (AMMK) ka dalë me një sqarim mbi situatën e rënduar të cilësisë së ajrit e sidomos kjo gjatën ditës së djeshme, më 27 mars.

“Gjatë ditës së djeshme (27.03.2024) është vërejtur situatë më e rënduar e cilësisë së ajrit krahasuar me ditët e tjera, në mënyrë të veçantë për Grimcat e Pluhurit PM10 dhe PM2.5”, njofton AMMK-ja.

Gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM10 dhe PM2.5 është regjistruar sidomos në stacionet në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë dhe Pejë, bën të ditur kjo agjenci.

AMMK-ja sqaron opinionin e gjerë se kjo situatë ka ardhur si rezultat i kushteve meteorologjike në të cilat ndodhej vendi. Sipas të dhënave meteorologjike të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vendi gjatë këtyre ditëve ishte nën ndikimin e masave të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore.

Pluhuri i ardhur nga Sahara në Evropë, që ka përfshirë edhe Kosovën, ka ndikuar në rritjen e vlerave të grimcave të pluhurit.

Bartja e pluhurit dhe grimcave të vogla të rërës nga Sahara është një fenomen që përfshin shpesh Evropën dhe që manifestohet kryesisht me praninë e grimcave të pluhurit në ajër.