Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu na kujton sa i lartë ishte çmimi i lirisë

Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu na kujton sa i lartë ishte çmimi i lirisë

Aktuale March 28, 2024 - 10:32

Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e anëtarëve të vrarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në përvjetorin e 25-të në Podujevë.

Kurti, mes të tjerash, theksoi se ata na kujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i shtetit dhe i lirisë që e gëzojmë sot.

“Sot familjet Bugujevci, Duriqi dhe Llugaliu ishin bashkë, por njësoj të bashkuar jemi edhe ne sot në kujtim dhe në nderim të rënies së tyre për tokën e Kosovës dhe për lirinë e popullit, ata na kujtojnë se sa i lartë është çmimi i shtetit dhe lirisë që e gëzojmë sot, se si rrënjët e shtetit dhe lirisë janë te gjaku i martirëve dhe i dëshmorëve, por njëkohësisht zëri ynë do të jetë më i fuqishëm si institucional dhe qytetar për kërkim të drejtësisë. Janë vrarë shtatë gra, shtatë fëmijë”, u shpreh Kurti.

“Me këtë rast është mbajtur një proces gjyqësor në Serbi, ku janë dënuar disa pjesëtarë të njësitit famëkeq Shkorpion që kanë kryer vrasje edhe masakrën e Srebrenicës në gjenocidin në Bosnjë. Ata të dënuar maksimalisht me 20 vjet pa u penduar kur i kanë 2/3 e dënimit janë liruar”.

“Në mesin e atyre që u masakruan ishte edhe Saranda Bogujevci, e cila u mbijetoi 16 plumbave, para 25 vjetëve, trupi i njomë atëherë e mitur, ata pesë që shpëtuan nga kjo masakër ishte një mrekulli e vërtetë dhe sot ata janë dëshmitar të gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.