Osmani përkujton masakrën e Izbicës: Dëshmi për rrugën e vështirë nëpër të cilën kaluam
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kujtoi 25-vjetorin e masakrës së Izbicës në Skënderaj.
“Kujtesa historike është në funksion të respektimit të së kaluarës sonë, dokumentimit, sikurse edhe ndërtimit të së ardhmes”, u shpreh Osmani.
Më tutje ajo kujtoi të rënët në këtë masakër.
“Ndaj sot kujtojmë 25-vjetorin e masakrës së Izbicës, kur forcat gjenocidale të Serbisë masakruan 147 civilë, në mesin e të cilëve edhe vajzën 6-muajshe, Dafina Qelaj. Ajo dhe të tjerët u vranë në shtëpitë e tyre vetëm pse ishin shqiptarë. Mizoria në Izbicë mbetet e skalitur në kujtesën tonë, duke na sjellë në vëmendje çmimin e lirisë”, tha Osmani.
“Në tentim për t’i fshehur gjurmët e krimit, viktimat civile regjimi gjenocidal i Serbisë i varrosi në varrezë masive në Petrovo Sello në Beograd, në Novolan dhe në Bistricë”.
Osmani u shpreh se kujtimin për Izbicën dhe të gjitha masakrat gjithandej Kosovës do ta mbajnë gjallë gjithnjë si një dëshmi për rrugën e vështirë nëpër të cilën kaluam dhe si kërkesë të përhershme për drejtësi.
“Qoftë i paharrueshëm kujtimi për 147 të vrarët në Izbicë!”.