RTK-ja i quan dezinformata tendencioze pretendimet se planifikon t’i largojë deri 300 punëtorë

RTK-ja i quan dezinformata tendencioze pretendimet se planifikon t’i largojë deri 300 punëtorë

Aktuale March 27, 2024 - 23:59

Bordi i RTK-së, ka reaguar pas raportimeve se do të largohen 200 deri 300 punonjës nga transmetuesi publik.

Bordi i ka cilësuar dezinformata tendencioze raportimet e bëra nga Flutura Kusari, e cila përmes një postimi në Facebook, alarmoi se po kërkohet nga partia në pushtet që të largohen deri në 300 punëtorë nga RTK-ja, transmeton Zeri.info.

“Arsyetimi i VV-së dhe disave në bord është që ka dështu reforma në RTK. Reforma që po e kërkon VV-ja është me i largu edhe 200-300 punëtorë nën arsyetimin se nuk po punojnë por arsyeja e vërtetë është se i shohin si të partive tjera dhe duan ta mbushin RTK-në me njerëz të VV-së”, ka shkruar Kusari.

Sipas Bordit të RTK-së, përmbajtje të tilla kanë për qëllim denigrimin e anëtarëve të bordit dhe tentim ndikim përmes presionit publik në vendimet e anëtarëve.

“Janë të pavërteta pretendimet se nga RTK planifikohet të largohen 200-300 punonjës. Informacione të tilla tendencioze mund të krijojnë panik te punonjësit. Raportet vjetore qoftë ai financiar ose ai i aktiviteteve të punës nuk kanë asnjë lloj ndërlidhje me reformën e cila është paralajmëruar se do të ndodh tash e një kohe.

Për më tepër janë qëllimkëqija deklaratat se 200-300 punonjës po largohen, për t’u zëvendësuar me të tjerë. Kjo nuk ka të bëjë me realitetin së pari dhe së dyti, bordi aktual ka dhënë shembull të krijimit të një sistemi meritokratik gjatë rekrutimeve të stafit”, thuhet në reagimin e Bordit.

Sipas Bordit, tendencat e disa individëve apo edhe grupeve të ndryshme të interesit që të ndërhyjnë dhe të ushtrojnë trysni në bord në mënyrë që të ndikohet te anëtarët e bordit përmes etiketimeve se nëse nuk votojnë në një mënyrë të caktuar, janë të papranueshme.

“Secili anëtar i bordit vendos sipas bindjeve dhe vlerësimeve personale të pandikuara nga asnjë palë e jashtme dhe secili merr vendime që i konsideron të dobishme për transmetuesin publik”, thotë Bordi. /Zëri