Nagip Arifi: Vuçiqi për hakmarrje ndaj Kosovës mund ta përdorë Luginën
Foto: Laura Hasani

Nagip Arifi: Vuçiqi për hakmarrje ndaj Kosovës mund ta përdorë Luginën

Aktuale March 22, 2024 - 10:13

Serbia po e sheh mision të pamundur ndërhyrjen në Kosovë me forcë, ka thënë kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

Arifi thotë se deklarata e presidentit serb është më shumë për konsum politik të brendshëm.

“Ai e di mirë se në Kosovë operojnë forcat e NATO-s, dhe ndërhyrja me forcë në Kosovë është mision i pamundur. Kjo deklaratë vjen si rezultat i presionit ndërkombëtar për ta zgjidhur problemin me Kosovën dhe duke qenë në situatë të vështirë provon që me deklarata populiste të paraqitet si mbrojtës i serbëve”, është shprehur ai.

Po Arifi mendon se Vuçiqi për hakmarrje ndaj Kosovës mund ta përdorë Luginën e Preshevës.

“Por, kjo deklaratë gjithsesi që mund të destabilizojë rajonin, kur dihet se për hakmarrje ndaj Kosovës mund ta përdor rajonin e Luginës së Preshevës”, ka thënë shkurt Arifi.

Sipas tij, ky është një sinjal për bashkësinë ndërkombëtare që të ndalojë së përkëdheluri Serbinë dhe të marrin masa serioze për mos destabilizimin e rajonit.

Ndaj, deklaratës së presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka pasur reagime të shumta.

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se Vuçiqi do të dështojë, ashtu si të gjitha përpjekjet e dështuara të Serbisë deri tani.

Për deklaratat kërcënuese të Aleksandar Vuçiqit ndaj Kosovës ka folur edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

Hovenieri tha se populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga këto deklarata.

Ai ka thënë se aleanca më e suksesshme ushtarake është në Kosovë, duke iu referuar NATO-s. /frontoline