Hilli tha se Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova, analisti serb: Serbia më afër njohjes së Kosovës sesa NATO-s

Hilli tha se Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova, analisti serb: Serbia më afër njohjes së Kosovës sesa NATO-s

Aktuale March 20, 2024 - 21:19

Politikanë dhe analistë në Beograd kanë komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan Christopher Hill, i cilin tha se Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova. Ata thonë se Serbia po zhvillon partneritet me NATO-n, por se presidenti serb Vuçiq është zotuar se Serbia nuk do të jetë anëtare e asnjë aleance ushtarake.

“Serbia sot është shumë më afër aleancës së NATO-s sesa Kosova, sepse ne punojmë me ushtrinë serbe çdo ditë, kemi pasur stërvitje, kemi pasur stërvitje dhe një sërë gjërash të tjera”, tha ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Siç tha ai për televizionin publik serb, “tani Serbia po udhëheq një politikë të neutralitetit ushtarak dhe dua të jem i qartë, ne absolutisht e respektojmë atë politikë, por serbët mund të arrijnë në një përfundim tjetër në një moment”.

Këtë deklaratë Hill e bëri pak ditë para 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, si dhe publikimit të lajmit se është e mundur që Serbia t’i japë dhëndrit të Donald Trump ndërtesën e bombarduar të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradi.

“Është e vërtetë që Serbia bashkëpunon me NATO-n, dhe kjo flet shumë për faktin se regjimi në pushtet tregon një gjë për audiencën e tij në TV Happy dhe Pink, dhe bën një gjë krejtësisht tjetër kur bëhet fjalë për bashkëpunimin ushtarak. Fatkeqësisht, është gjithashtu e vërtetë se ata dëbojnë nga Serbia shtetas rusë që guxojnë të shprehin mendimin e tyre për vendin e tyre. Është e qartë se kjo situatë është e paqëndrueshme”, tha për Danas, Robert Kozma, deputet i Frontit të Gjelbër të Majtë, transmeton Telegrafi.

Ai thotë se “për stabilitetin e Serbisë, para së gjithash është shumë e nevojshme të luftojmë për demokraci dhe pastaj do të ketë kushte për të diskutuar bashkëpunimin dhe aleancat ushtarake dhe se si të mbrohen më së miri interesat e qytetarëve të Serbisë”.

“Unë personalisht besoj se për ne dhe për Bashkimin Evropian është e nevojshme të zhvillojmë, para së gjithash, një politikë të përbashkët evropiane dhe të sigurisë”, përfundon ai.

Milosh Jovanoviq, deputet dhe kryetar i Partisë Demokratike të Re, thekson se Serbia është një vend ushtarakisht neutral, që do të thotë, se ka marrë vendim që të mos jetë anëtare e asnjë aleance të përhershme ushtarake apo organizatë të mbrojtjes kolektive.

“Vendimi për neutralitet ushtarak është vendim i guximshëm i një populli dhe shteti që dëshiron të ruajë pavarësinë dhe identitetin e tij dhe është plotësisht në përputhje me luftën për ruajtjen e interesave kombëtare serbe. ‘Kosova e Metohia’ është pjesë përbërëse e Serbisë”, thekson ai.