Kurti: Djegia e pronës së nënkryetares së Zveçanit, heshtja ndërkombëtare sa shkon e bëhet më shurdhuese
Foto: Laura Hasani

Kurti: Djegia e pronës së nënkryetares së Zveçanit, heshtja ndërkombëtare sa shkon e bëhet më shurdhuese

Aktuale March 13, 2024 - 11:58

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në mbledhje të Qeverisë së Kosovës ka folur për rastin e djegies së dyqanit të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq.

Kurti ka thënë se bazuar në prova, zjarrvënia ka qenë e qëllimshme dhe sipas tij ky akt ka për qëllim frikësimin e serbëve lokalë që duan integrim në institucionet e Kosovës.

Kurti tutje ka kritikuar faktorin ndërkombëtar në vend, duke thënë se heshtja e tyre dhe mosreagimi për këtë rast, edhe përkundër që kanë kaluar pesë ditë nga ngjarja, vetëm shkon duke u bërë edhe më shurdhuese. Sipas Kurtit, kjo heshtje është dekurajim për viktimën dhe inkurajim për agresorin.

“Natasha Tomaniq 8 marsin e nisi me lajmin se pronës së saj i është vënë zjarri. Provat flasin për zjarrvënie të qëllimshme. Dëmi llogaritet të jetë 40 mijë euro. Qëllimi nuk ishte financiar. Frikësimi dhe terrori ishin synimet dhe për serbët në veri të vendit, që duan integrim në institucionet e Kosovës.

Pavarësisht se bëhet fjalë për një grua nga komuniteti serb në Kosovë që bartë pozitë zyrtare, në institucionet publike, heshtja e komunitetit ndërkombëtar, edhe pesë ditë pas sulmit, sa vjen e bëhet edhe më shurdhuese.

Një heshtje e tillë është sa dekurajuese, aq edhe inkurajuese. Dekurajuese për viktimën, inkurajuese për agresorin. Sulmi ndaj Tomaniqit nuk ndodhi në vakuum, njëjtë siç pamjet e kriminelit Radoiçiq, duke terrorizuar serbët e Kosovës dhe më pas takimin me ambasadorin e Serbisë në SHBA nuk ndodhën në vakuum”, tha Kurti.