Qeveria urdhëron që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses
Foto: Laura Hasani

Qeveria urdhëron që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses

Aktuale March 13, 2024 - 11:54

Qeveria e Kosovës ia ka dhënë sot dritën jeshile Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastiri të Deçanit.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës bëri të ditur se lidhur me këtë tashmë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.

Kurti para kabinetit qeveritar tha se në këto dy vjetët e fundit të gjitha institucionet e Kosovës nuk kanë lënë gurë pa lëvizur e takime pa zhvilluar lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Sipas tij, raporti i KiE-së për Kosovën ka theksuar se Kosova është shtet me qëndrueshmëri të institucioneve demokratike, ka listuar kushtet që janë zbatuar dhe ato që duhet të zbatohen.

Ai tha më tej se pas një procesi masiv të takimeve dhe komunikimeve u është bërë e qartë se pika rreth zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat për Manastirin e Deçanit nuk do të hiqet për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Megjithëkëtë për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë.