Kurti: Vepra dhe jeta e kryekomandantit Adem Jashari e ka frymëzuar popullin tonë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë nderime në kuadër të përvjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Kurti ka shkruar për takimin e zhvilluar me Rifat Jasharin, vëllain e komandantit të famshëm Adem Jashari, si dhe me dy ikona të artit dhe muzikës kombëtare, Shkurte Fejzën dhe Ilir Shaqirin.
Kurti tha se takimi ishte mbushur me emocione dhe rëndësi të veçantë, pasi Kuvendi i Kosovës jehoi me muzikën përkujtimore që nderon veprimtarinë e UÇK-së.
Ai ka theksuar se kjo ditë ka qenë një rast për të reflektuar mbi frymëzimin që jep vepra dhe jeta e Adem Jasharit, sipas tij, një figurë që ka kontribuar në frymëzimin e tërë popullit dhe në ndërtimin e një trashëgimie të thellë artistike dhe kulturore.
Kurti tregoi rëndësinë e përkujtimit të sakrificës së bërë për lirinë e Kosovës, duke shprehur kujdesin që kjo të mbetet një pjesë e pandashme e historisë dhe identitetit të Kosovës.
“Vepra dhe jeta e kryekomandantit Adem Jashari e ka frymëzuar popullin tonë dhe ka ndërtuar një trashëgimi të pasur artistike e kulturore, për të përkujtuar gjithmonë sakrificën e bërë për çlirimin e Kosovës”, ka shkruar Kurti ndër të tjerash, përcjell Zeri.info.
Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja e UÇK-së, që këtë vit shënon 26 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.
Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar disa herë nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.
Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.
Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.