Gazetari Lirim Mehmetaj ftohet nga prokuroria, reagon AGK-ja
Gazetari Lirim Mehmetaj, është ftuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
Kjo thirrje e Prokurorisë për gazetarin Mehmetaj, ka bërë që të reagojë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), shkruan Zeri.info.
Për AGK-në, kjo thirrje e Prokurorisë për gazetarin Mehmetaj është alarm për një shoqëri demokratike, siç pretendon të jetë Kosova.
Reagimi i plotë i AGK-së, pa ndërhyrje:
AGK-JA E SHQETËSUAR ME THIRRJEN NË GJYKATË PËR VEPËR PENALE NDAJ GAZETARIT LIRIM MEHMETAJ
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim të madh njoftimin nga gazetari i Albanian Post, Lirim Mehmetaj, për thirrjen që i është bërë si i pandehur nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Në thirrjen për paraqitje më 7 mars, Mehmetaj është ftuar si i pandehur për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” nga Neni 141 i KPR-së.
Derisa AGK është në pritje të informacioneve zyrtare, thirrja e tillë ndaj një gazetari është alarm për një shoqëri demokratike, siç pretendon të jetë Kosova.
AGK-ja, do të kërkojë informacionet zyrtare dhe do ta ndjekë nga afër të enjten këtë zhvillim të pashembullt të sistemit të drejtësisë në Kosovë. /Zëri