Osmani: Marsi rikthen në vëmendjen tonë periudhën më të lavdishme të historisë
Foto: Laura Hasani

Osmani: Marsi rikthen në vëmendjen tonë periudhën më të lavdishme të historisë

Aktuale March 05, 2024 - 10:48

Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca solemne me rastin e 26-vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Në fjalën e saj, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se sa herë vjen marsi kujtimet natyrshëm rikthejnë në vëmendje periudhën më të lavdishme të historisë së popullit tonë, që lidhet me përpjekjet tona për liri dhe shtet.

“Marsi është muaji i skalitur në analet e kombit tonë për liri, një muaj kur shpirti i paepur i Adem Jasharit dhe UÇK-së i dha hov luftës kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit. ‘Sërish vjen marsi’ nuk është më vetëm një refren kënge, është moto e kujtesës dhe nderimit të luftës tonë për liri e pavarësi, që pa dyshim identifikohet me kryepersonazhin e luftës sonë komandantin Adem Jasharin, familjen e tij dhe gjithë UÇK-së”, tha Osmani para të pranishmëve.

Ajo shtoi se sot shteti i Kosovës qëndron mbi supet e heronjve tanë.

“Zoti e bekoftë familjen Jashari, Zoti i bekoftë gjithë dëshmorët, Zoti e bekoftë Republikën tonë!”, tha në fund Osmani. /Zëri

Image