Kurti: Regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës
Foto: Laura Hasani

Kurti: Regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës

Aktuale March 04, 2024 - 10:01

Kryeministri Albin Kurti në konferencën “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia parlamentare për sigurinë rajonale dhe integrimin euroatlantik”, teksa ka folur për diplomacinë në terma të përgjithshëm, ka përmendur autokracinë serbe ndaj Kosovës.

“Në rajonin tonë shohim se si regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë. Në dy vjetët e parë të qeverisjes sonë, ata kanë sjellë katër herë ushtrinë te kufiri ynë, kanë sponsorizuar terrorizmin, kanë shpërndarë gënjeshtra dhe narrativa të rrejshme për të përligjur veprat e tyre ndaj Kosovës dhe rajonit”, tha Kurti.

Image

Superioritetin e një grupi ndaj tjetrit Kurti e ka quajtur stereotip të vjetër, teksa ka bërë thirrje për dialog dhe gjithëpërfshirje.

“Ka ende historikisht dallime politike dhe pabarazi socioekonomike, të cilat kërcënojnë të na ndajnë në vend që të bashkohen. Kjo është arsyeja pse duhet të promovojmë principet e dialogut dhe gjithëpërfshirjes, të cilat janë esenciale për të krijuar ura ndërmjet njerëzve dhe shteteve”, deklaroi Kurti.

Image

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se vetë shtetësia e vendit ka kaluar në procese diplomatike.

“Vetkrijimi i shtetit të Kosovës ka marrë shumë përpjekje diplomatike dhe ka kaluar në shumë faza të trajtimit diplomatik”, ka deklaruar ai.

Image

Tutje ka përmendur disa nga trupat e rëndësishme evropiane, pjesë e së cilave është Kuvendi i Kosovës dhe ka thënë se po punojnë për forcim të bashkëpunimit diplomatik.

“Ne po punojmë që përmes bashkëpunimit me donatorët ndërkombëtare brenda Kuvendit t’i forcojmë kapacitetet e deputetëve dhe stafit parlamentar mbështetës, sa i përket forcimit të bashkëpunimit ndërparlamentar me shërbimet homologe të vendeve të rajonit dhe më gjerë”, ka deklaruar Konjufca.