Konaku i familjes Kryeziu, ku gjetën strehë shumë ushtarë të UÇK-së

Konaku i familjes Kryeziu, ku gjetën strehë shumë ushtarë të UÇK-së

Aktuale March 04, 2024 - 08:18

Gjurmët e odës së vjetër kanë mbetur akoma.

E me to edhe shenjat se ky vend i shërbeu luftës së fundit në Kosovë.

Në konakun e familjes Kryeziu, dy dekada më parë strehë gjetën shumë ushtarë të UÇK-së.

E kujtimet e viteve ’98-99 janë të freskëta për kryefamiljarin, Ruzhdi Kryeziu.

“Kënaqësia jem më e madhe edhe e familjes tem ka qenë kur UÇK ka dalë sefte, që u armatosëm e erdhëm. Edhe vllaznia tanë përniherë jemi kyçë në ushtri po detyra të ndame secili. 70-80 ushtarë në ledinë në Marali i kam gjetë, t’u kalu me 4-5 shokë t’u shku dikah në teren. Çka janë këta ushtarë të panjohshëm, kah jeni bre djem? Mbi 24 orë i ka qitu, pa bukë pa kurgjë, tha jemi t’u shku për armatim. Ju kam thënë shokëve kthehi, hajdi mas neve e i kam pru qitu te oda. Kanë pushu, janë ushqy, janë nisë prej aty tani ma t’u kallxu shokëve të vet që shkoni në Pagarushë, lypne filan familjen, aty keni me pushu, keni m’u ushqy, kur kanë hangër bukë qitu”, thotë Ruzhdi Kryeziu.

E krah Kryeziut, për t’i pritur ushtarët e lirisë i dolën edhe anëtarët e tjerë të familjes.

Një ndër ta ishte bashkëshortja, Hajrie Kryeziu.

“Tre shporeta i kemi pas, furrën e kemi pas, i pjekshim bukët, ose pite që qitshim, 10-12 pite i qitshim edhe janë ardhë prej gjitha zonave, prej Shalës së Bajgorës, Shqipërisë, prej kahmosit. Vijshin të plagosur, ju lajshim teshat, si gjithë të plagosurve me gjak e i tershim ato tesha, i palosshim, ju gjejshim tonat, iu jepshim”, thotë ajo për Teve1.

E kontributi i familjes Kryeziu në luftën për çlirimin e vendit nuk u ndal me kaq.

Kjo pasi natën e 2 qershorit të vitit 1999, në frontin e luftës ra heroikisht Ejup Kryeziu.

E këtë e kishte parandjerë i vëllai, Ruzhdiu.

“M’u kputën këmbët, se parandjenjat ishin, po se disha çka ka ndodhë. Sefte m’ka ardhë Tahir Sinani edhe vllau, Ruzhdi tha ken shku Ejupi me shokë kanë ra në pritë e janë plagu…u ngushtova, u mërzita boll. Dikur tha, Ruzhdi i fort je kanë gjithë edhe je i fort, edhe ni lajm e kem. Tha edhe Ejupi është i vramë, veç Hafiri ka pshtu”, shprehet Ruzhdiu.

Në oborrin e familjes Kryeziu ruhet edhe ky ahur.

Gjatë periudhës së luftës shërbeu si kazermë e depo e armatimit të ushtrisë çlirimtare të Kosovës.