Rusia lëshon fletarrestim për disa zyrtarë policorë të Kosovës, Qalaj: Të trajtohet me seriozitet nga shteti
Një hatërmbetje të 2019-tës me Kosovën nuk e ka lënë në harresë nga Rusia. Kjo pasi ky shtet ka lëshuar fletarrestim ndaj dy zyrtarëve të lartë udhëheqës të Policisë së Kosovës dhe disa pjesëtarëve të tjerë.
Televizioni Dukagjini ka mësuar se këta dy zyrtarë të lartë janë shefi i Njësisë Speciale Operative në Prishtinë, Besart Ahmeti, dhe Alban Jetullahu, shef i operativës në Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë.
Dukagjini ka pyetur Policinë lidhur me këtë çështje, por deri më tani nuk ka marrë konfirmim.
Ky veprim i shtetit rus i ka rrënjët te një aksion i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në veri, gjatë majit të pesë viteve më parë.
Ahmeti dhe Jetullahu që në atë kohë ishte udhëheqës i Njësisë Speciale Intervenuese, bashkë me kolegë të tjerë kishin arrestuar disa persona, në mesin e të cilëve kishte qenë edhe një zyrtar i UNMIK-ut me nënshtetësi ruse.Gjatë asaj kohe drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ishte Rashit Qalaj. Ai e ka mjaft të freskët rastin.
“Ka qenë zyrtar i Kombeve të Bashkuara i cili në mënyrë aktive duke qenë në krye të qytetarëve dhe bandave që kishin bllokuar rrugët ju ka prirë atyre me veturën e Kombeve të Bashkuara, deri në një moment kur në rrugë ka pasur drunj dhe pastaj njësitë speciale normalisht që e kanë ndal”, tha Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë.
Qalaj u shpreh se shteti duhet të merret menjëherë me këtë çështje sepse pasojat që mund t’i vuajnë këta policë nga ky urdhërarrest, sipas tij, nuk janë të thjeshta.
“Shteti i Kosovës duhet ta trajtoj me seriozitet, duhet të kërkohet llogari nga UNMIK-u, unë mendoj që ka një rolë edhe ky mision në futjen në liste të Interpolit të këtyre policëve sepse Policët sidomos eproret janë të specializuar dhe ata kanë trajnime të ndryshme në shtete të ndryshme dhe mund të bëhen objekt i ndonjë ndalese në ndonjë kufi”, tha ai.Me lëshimin e këtij fletarrestimi, Rusia ka kërkuar që këta zyrtarë policorë kosovarë të futen në listën e kërkimit të INTERPOL-it.