Hasan Krasniqi pritet të ekstradohet në Itali
Me drejtësinë po vazhdon të përballet kryeshefi i Ujësjellësit të Gjakovës, Hasan Krasniqi, i cili u arrestua në Bullgari më 19 shkurt me kërkesë të Interpolit.
Dje, ai doli në gjykatore para autoriteteve bullgare, kurse brenda 10 ditëve pritet të ekstradohet në Itali.
Sipas avokatit të tij, nuk qëndron akuza për “Kontrabandë me të mitur”, por bëhet fjalë për favorizim migracioni.
Hasan Krasniqi aktualisht mban pozitën e kryeshefit të KRU “Gjakova”, ndërsa ka qenë edhe kandidat i Vetëvendosjes për asamblist.
Ai ka dalë dje në gjykatore, para autoriteteve bullgare.
Këtë e konfirmoi për RTK-në avokati mbrojtës i Krasniqit, Tritan Hamitaj.
“Është mbajtur seanca dhe pritet sipas procedurës së shtetit bullgar, duhet pritur një afat tre ditor që pëlqimi i tij që ai ka dhënë që ai të shkoj në Itali me procerdurë të shpejtuar, dhe pas tre ditësh autoritetet bullgare do të kontaktojnë me autoritetet italiane për të ekzekutuar ekstraimin e thjeshtuar, që zoti Krasniqi të paraqitet para autoriteteve italiane”, ka thënë Hamitaj.
Sipas Hamitajt, nuk qëndron akuza për “Kontrabandë me të mitur”, por bëhet fjalë për favorizim migracioni. Sipas tij, Krasniqi nuk ka asnjë lidhje direkte me ngjarjen për të cilën po akuzohet nga shteti italian.
"Është favorizim migracioni, dhe jo kontrabandë me të mitur, rezulton se disa sportistë më nuk janë kthyer në Kosovë, duke përfituar azil nga mosha e tyre minorene", ka thënë ai.
“Zoti Krasniqi nuk ka asnjë dijeni që këta sportist nuk janë kthyer më në Kosovë, as se si janë marrë vizat, ai vetëm ka ofruar transportin, në fakt duke qenë ortak në këtë kompani transporti, ai indirekt është pjesë e gjithë kësaj”, ka shtuar avokati.
Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, dyshohet ka kryer kontrabandë me të mitur, si aksionar në një kompani transporti, duke dërguar sportistë në shtetin italian. Të njëjtit dyshohet se kur kanë hyrë në Itali në vitin 2022, nuk janë kthyer më në Kosovë.
Hamitaj shton se pas hetimeve autoritetet italiane kanë vlerësuar se Krasniqi duhet të shpjegojë rrethanat e kontraktimit të mjeteve të transportit nga klubet sportive dhe rolin e tij në dijeninë ose jo të parregullsive në marrjen e vizave.