Spitali Amerikan dyshohet se ia harroi një tel në trup një pacienti nga Vushtrria
Një ngjarje e rëndë pretendohet të ketë ndodhur në Spitalin Amerikan në Prishtinë, shtatë vite më parë. Sipas pretendimeve të pacientit Ilmi Hasani nga komuna e Vushtrrisë, gjatë një ndërhyrjeje në Spitalin Amerikan në Prishtinë, atij i ishte lënë një trup i huaj, që është një tel metalik prej 40 centimetrash i gjatë e që e ka bartur për shtatë vite, duke i shkaktuar shumë pengesa dhe dëme shëndetësore.
Janë bërë shtatë vite që kur Ilmi Hasani, punonjës i KEK-ut, pas problemeve me vena ishte lajmëruar tek Spitali Amerikan në Prishtinë, për t’i trajtuar ato.
Dr. Elmi Olluri, kirurg vaskular, në atë kohë do t’i bëjë një intervenim në vena. Por, pavarësisht intervenimit që kishte bërë, gjendja e tij shëndetësore sipas pacientit veçse ishte rënduar.
Gjatë ekzaminimeve për të gjetur shkakun e problemeve shëndetësore, përmes një fotografimi në QKMF në Vushtrri por edhe një ekzaminimi tjetër në Spitalin Aloka në fund të vitit 2023, pacientit i është gjetur një trup i huaj – tel metalik - në gjatësi prej rreth 40 centimetrash që pacienti insiston se i ka mbetur nga operacioni i vitit 2017, kur kishte operuar tek Dr. Elmi Olluri.
“Hiç as nuk e ka ba llaf doktori që më ka operu mu në Spital Amerikan, me thanë që ke pasë nevojë apo e kam ba një gabim ose kom ba diçka se s’u duftë me ba që këtë problem me eliminu. Veç me ka thanë që mas operimit duhesh me i ba kontrollat. Këto terapi duhesh me i marrë...”, thotë pacienti Ilmi Hasani për emisionin Udhëve në RTK.
Doktori nuk mohon trupin e huaj në organizëm, por thotë se ai nuk mbeti gjatë operacionit të tij
Dy ditë pasi ka dalë nga spitali pacienti thotë se ka marrë terapi dhe ka ndjekë kontrolla të njëpasnjëshme. Por, problemi sipas tij qëndronte krejtësisht tek teli metalik që i kishte mbetur në trup. Sipas pacientit, doktori Elmi Olluri i kishte shpjeguar që gjatë procedurës operative kishte ndodhur një defekt në pajisje dhe ai ka vazhduar procedurën në mënyrë mekanike.
“Doktori më ka thënë se qat ditë mu ka prishë mjeti dhe e kam kry në mënyrë mekanike, prej gjurit deri qik’ho për me kry qat operacion...”.
Por, kirurgu vaskular Elmi Olluri mohon kategorikisht të ketë ndodhur një defekt i tillë apo të ketë kryer një procedurë sipas metodës që pretendon pacienti Ilmi Hasani.
“Teoritikisht dhe praktikisht është e pamundur gjatë një procedure që ka ba zotëriu para shtatë vitesh. Mua nuk më kujtohet rasti dhe kam shumë pacientë. Mirëpo, hyna në sistem dhe e pashë që bëhet fjalë për një pacient që ka pasë problem me vena të jashtme. Vena si ind është indi më fragjil ne organizmin e njeriut. Këtë katetër që zotëria e ka pasë në trup nuk e mohoj që se ka pasë, por jo prej procedurës së radio-frekuncës”, insiston doktori.
Derisa raportet mjekësore të shumë institucioneve shëndetësore flasin për një trup të huaj, doktori Elmi Olluri nuk përjashton që pacienti të ketë një trup të huaj, por ai thotë se as që ka punuar me një katetër të tillë, çfarë iu është gjetur pacientit.
“Nuk e njeh literatura, nuk e njeh historia e kësaj metode se një trup, një katedër e radio-frekuencës të kalojë deri tek zemra. Sepse me këtë katetër unë asnjëherë në jetë nuk kam punu e as nuk punoj. Zotëria është punuar me këtë katetër që siç po e shihni është komplet”, thotë doktori derisa tregon një ketetër të radio frekuecnës.
“Ky është i gjatë 1.2 metër, procedura e radio-frekuencës futet me gjilpërë dhe përcillet çdo centimetër i tij me eho dopler, që të mos futet në ndonjë venë anësore, mandej futet deri te krosi”, thotë Dr. Olluri.
Kush e harroi trupin e huaj?
Por pacienti Hasani është kategorik që ai nuk ka kryer procedurë tjetër operative ku do të mund t’i mbetej një kateter i tillë. Ai madje tregon se kur e kishte kuptuar se në trupin e tij ka një tel të gjatë rreth dyzet centimetra ishte befasuar jo vetëm ai, por edhe mjekët që për kohë të gjatë kishin shfaqur dilema të ndryshme për gjendjen e tij shëndetësore.
Por, Dr. Elmi Olluri insiston që pacienti kishte pasur edhe intervenime tjera, të cilat thotë se i ka fshehur, por që i njejti i kishte treguar atij gjatë dhënies së anamnezës.
“Pacienti ka deklaruar në anamnezë që është operuar. Nuk e dij por pacienti ka deklaruar në anamnezë që është operuar dhe ka treguar që është operuar. Anamneza që e ka marrë kolegu i repartit tregon që pacienti është operuar”.
Por, redaksia hulumtuese e emisionit Udhëve ka siguruar anamnezën e dhënë nga pacienti në Spitalin Amerikan. Ndonëse në dokumentin që prezantohet nuk figuron fare emri i pacientit Ilmi Hasani, në atë dokument thuhet se pacienti ka pasur një intervenim. Mirëpo, nga dokumentacioni shihet qartë se nuk bëhet fjalë për intervenime tjera që lidhen qoftë me venat e brendshme as në pjesën torakale. Por, një deklaracion, ku flitet për intervenim në hemorraide.
Pacienti Hasani kishte provuar të kryej intervenimin në Kosovë, por e kishin paralajmëruar për rreziqet, posaçërisht nëse vonohet duke pasur parasysh se teli i ishte ofruar organit më vital - zemrës.
Mjekët maqedonas dyshonin se teli metalik kishte depërtuar edhe në zemër
“U konsultova edhe me do mjekë tjerë dhe më thanë duhet me kanë një ekipë e përgatitur për me ba këtë operacion dhe nëse është kapë ky tel tek zemra në mish, nuk guxon me u operu se ky nxjerret prej poshtit dhe me ngrehë prej poshtit e nxjerr zemrën. E vetmja mënyrë është veç me u operu si me u operu prej zemrës, prej kho naltit deri poshtë”, thotë pacienti Ilmi Hasani.
E doktori Olluri thotë se zakonisht trupat e huaj lëvizin nga pjesa e sipërme – tek qafa dhe bien poshtë, për shkak të gravitacionit. “Mirëpo shtatë vjet me qëndru një trup i huaj dhe mos me shkaktu trombozë nuk e njeh literatura”.
E pacienti trupin e huaj thotë se ka nxjerrë në Maqedoni, ku edhe atje mjekët ishin habitur se si kishte ndodhur një gjë e tillë.
“Mjekët në Shkup më kanë thanë, ai kirurgu që më ka operu mu, më ka thanë unë qe 45 vjet që punoj rast si ky nuk ka ndodhë”.
Tutje, pacienti flet për vështirësitë para dhe gjatë operacionit.
“Në Sistinë në Maqedoni më kanë shti në Rezonancë, mirëpo tha nuk mujna me të operu pa e pa me një incizim me kamerë brenda se është shumë afër zemrës dhe nuk po e çet a u kapë apo jo dhe mas dy ditëve unë kam shku ma kanë lanë terminin dhe 45 minuta nuk kanë mujtë me zbulue a u kapë apo nuk u kapë për zemre. Dhe tek të hanën e kom ba prapë me kamerë dhe e kanë vërtetu që nuk u kapë nalt por u kapë qitu ku jam ba operacion dhe ka zgjatë operacioni 3 orë e gjysë”.
Pacienti dhe doktori pritet të ballafaqohen në gjykata
E kirurgu Elmi Olluri, shprehet se është tepër e pa shpjegume, një venë që e ke djegë dhe e ke mbyllë me dale prej aty trupi i huaj. Sa i përket vështirësive në nxjerrjen e trupit të huaj, doktori Olluri thotë se nuk e di se çfarë ka ndodhur. Por, sipas tij, trupat e huaj prej çdo vene hiqen me një prerje të vogël. “Le të shkon ka të dojë, qitu e ka fillin. E kap e nxjerr dhe u kry. Le të shkon ka të dojë, në zemër s’u hy”, thotë doktor Olluri.
Derisa pacienti tashmë ka angazhuar avokatin Ridvan Kajtazi për padi ndaj Dr. Ollurit, ky i fundit shprehet se edhe vet është i interesuar që pacienti t’i ndjekë rrugët ligjore.
Emisioni Udhëve ka siguruar edhe ankesat që pacienti Hasani i ka bërë ndaj doktorit në Inspektratin Shëndetësor edhe në Odën e Mjekëve.
“Më lejoni t’iu njoftoj lidhur me një gabim trashanik mjekësor – (lënia e nje trupi të huaj – tel prej metali) - pas një intervenimi qlumië kam kryer në Spitalin Amerikan në Prishtinë tek Dr. Elmi Olluri i cili në prill të vitit 2017 ka operuar venat e mia. Intervenimi është bërë me anestezion të plotë dhe prej vitit 2017 kur ishte kryer ky operacion gjendja ime shëndetësore në vend se të përmirësohej kishte degraduar dukshëm duke m’u shtuar posaçërisht problemet me plogështi, lodhje dhe frymëmarrje. Gjitha këto probleme në fund të vitit 2023 është konstatuar se më janë shkaktuar nga trupi i huaj në gjatësi prej 40 centimetra, i gjetur në trupin tim, si mbetje nga operacioni i vitit 2017”, thuhet në ankesën e parashtruar në këto institucione.
Oda e mjekëve ka filluar hetimet, inspektorati nuk ka mandat të bëj një gjë të tillë
Kryeinspektorja shëndetësore Nora Kursani - Demjaha ka thënë se Inspektorati Shëndetësor nuk ka mundësi të trajtojë një rast të tillë pasi sipas saj, ankesa e qytetarit është e jashtafatshme, duke u bazuar në ligjin për të drejtat e qytetarëve në sistemin shëndetësor.
Ndërkohë, përmes një përgjigje me shkrim dhënë nga Bajram Ajeti, prokuror në Odën e Mjekëve thuhet se Oda e Mjekëve të Kosovës ka pranuar ankesën e z. Ilmi Hasani, e cila do të shqyrtohet konform afateve kohore të përcaktuara në rregullore të Odës.
“Jemi fare në fillim, dhe për këtë arsye nuk mund të jap më tepër informacion lidhur me lëndën në fjalë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Odës së Mjekëve të Kosovës.
Redaksia e emisionit Udhëve ka pyetur për ngjarjen edhe Spitalin Amerikan. As ata nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.
Ndërkohë, në fletlëshimin e Spitalit Sistina në Shkup potencohet se trupi i huaj ka mbetur prej operimit të venave të zgjeruara të këmbës së djathtë. Operacionin për largimin e trupit të huaj në spitalin e Maqedonisë veriore e ka kryer Dr. Mitko Karagjozov.
Redaksia hulumtuese e emisionit Udhëve ka provuar të kontaktoj me doktorin Karagjozov, përmes sekretarisë së spitalit. Po ashtu doktorit i ka dërguar edhe e mail sikurse i njejti e mail është përcjellë edhe në adresën e tij dhe atë të Spitalit Sistina, me një varg pyetjesh lidhur me rastin. Por deri në publikimin e këtij hulumtimi asnjë përgjigje nuk kanë kthyer as doktori e as përfaqësuesit e spitalit.