Zyrtari i NATO-s: Sulmi në Banjskë i papranueshëm - situata në Kosovë e qetë, por e brishtë
Shefi i Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd, gjeneral brigade Giampiero Romano, në një intervistë për “European Western Balkans” ka thënë se në Kosovë situata është e qetë, por mbetet e brishtë.
Në përgjithësi, ai tha se rajoni ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990, ndonëse thekson se ka ende arsye për shqetësim.
“Në Kosovë situata është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne pamë rritje të tensioneve dhe dhunës vitin e kaluar, duke përfshirë sulmet e paprovokuara dhe të papranueshme ndaj trupave të KFOR-it majin e kaluar, dhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë shtatorin e kaluar. Gjithashtu nuk ka pasur përparim të vërtetë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese dhe retorika përçarëse dhe të riangazhohen me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE”, deklaroi Romano, transmeton Klankosova.tv.
Gjeneral brigade Giampiero Romano u pyet edhe për shitjen e “Javelin”-ëve amerikanë për ushtrinë e Kosovës.
Ai tha se “këto janë vendime për të cilat duhet komentuar institucionet në Kosovë dhe SHBA”.
Romano tha se një Ballkan Perëndimor paqësor dhe i qëndrueshëm është i rëndësishëm për sigurinë tonë dhe për stabilitetin në të gjithë zonën euroatlantike. NATO, tha zyrtari i NATO-s, do të vazhdojë të luajë rolin e saj, duke përfshirë misionin tonë të KFOR-it në Kosovë, dhe Zyrën Ndërlidhëse Ushtarake në Beograd dhe Shtabin e NATO-s në Sarajevë.
Ai theksoi se “Kosova e qëndrueshme është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për sigurinë tonë”.
Zyrtari i NATO-s përmendi edhe rastin e majit të kaluar, kur serbët lokalë sulmuan paqeruajtësit e KFOR-it, “duke lënë 93 trupa të NATO-s të plagosur, disa në gjendje të rëndë”.
“Në shtator, ne pamë një shpërthim tjetër të dhunës së rëndë kundër Policisë së Kosovës në Banjskë. Kjo është e papranueshme. Duhet të vërtetohen faktet dhe autorët të dalin para drejtësisë”, deklaroi ai.
Më tutje, ai tha se nga maji i kaluar, është rritur prania e KFOR-it në veri të Kosovës, me dislokimin e forcave rezervë dhe patrullime shtesë.
Këta, tha ai, janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së.
Në të njëjtën kohë, Shefi i Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd tha se Prishtina dhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën dhe të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme.
“Ne mirëpresim hapat e fundit pozitivë për targat dhe zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, deklaroi shefi i Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd, gjeneral brigade Giampiero Romano.
Ai tha se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, “siç pasqyrohet në Konceptin Strategjik të NATO-s, të miratuar në Samitin e Madridit 2022”.
Sipas gjeneral brigade Romano, NATO-ja edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë sheh tensione në rritje, retorikë përçarëse dhe kërcënime secesioniste, “të cilat rrezikojnë reformat dhe minojnë stabilitetin”.
“Ky trend është shqetësues dhe i papranueshëm. Ai bie ndesh me letrën dhe frymën e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Marrëveshja e Paqes e Dejtonit duhet të respektohet dhe NATO vazhdon të mbështesë plotësisht punën e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë përpjekjet reformuese të Bosnjë e Hercegovinës dhe rrugën euroatlantike. Ne kemi nevojë për një angazhim të vërtetë dhe një qasje konstruktive nga të gjithë liderët e Bosnjë e Hercegovinës për të siguruar ruajtjen dhe funksionimin e strukturave të unifikuara”, deklaroi Romano.
Duke u ndaluar te lufta e Rusisë në Ukrainë, ai tha: “Ndikimi i luftës brutale të agresionit të Rusisë është i gjerë dhe ndihet në shumë rajone. Shqetësimet për ndikimin e Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë intensifikuar që nga invadimi i plotë i Ukrainës nga Moska. Kjo është arsyeja pse NATO do të vazhdojë të përmirësojë bashkëpunimin tonë me partnerët në rajon për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë dhe kundër ndikimit keqdashës, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë. Ne i bëjmë thirrje Rusisë të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor. Fatkeqësisht, ne e shohim rregullisht Rusinë duke bërë të kundërtën”. /klankosova.tv