Rama: Rrezik real për Ballkanin Perëndimor për shkak të agresionit rus

Rama: Rrezik real për Ballkanin Perëndimor për shkak të agresionit rus

Aktuale February 28, 2024 - 20:52

Lufta kërcënim për Ukrainën, por edhe ndaj së ardhmes sonë Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas Samitit për Ukrainën, që u mbajt sot në Tiranë, deklaroi sot se ka një rrezik të qartë dhe real për Ballkanin Perëndimor për shkak të agresionit rus.

“Kam qenë i privilegjuar që kam folur e diskutuar me Presidentin. Saktësisht rreth kësaj gjëje i thashë diçka: Për mua është përgjigja më e qartë e shkurtër dhe e saktë për faktin se ku mund të shkojë bota po ndoqëm logjikën e Vladimir Putinit për justifikimin e një lufte, duke i bërë thirrje së shkuarës. Kjo është Perandoria Mongoleze, Rusia është brenda saj”, u shpreh ai.

“Merreni me mend nëse të gjithë nisim të mendojmë që të shikojmë marrëdhëniet ndërkombëtare mbështetur në harta. Do të ishte një luftë që nuk do të merrte fund kurrë“, u shpreh Rama.

Kryeministri vuri në dukje se ajo që e shqetësonte më tepër ishte se jo të gjithë po e kuptonin sot se për Vladimir Putinin të sulmonte Ukrainën, nuk kishte të bënte vetëm me Ukrainën.

“Ishte një sulm kundër rendit botëror, mbështetur në rregulla, një sulm kundër bashkësisë së vendeve demokratike, një sfidë, sfida më e hapur më e pamëshirshme ndaj vetë ekzistencës së BE. Jo se Rusia do të pushtojë Gjermaninë, por nëse kjo logjika e ndezjes së një lufte bazuar në lavditë e kohëve të shkuara, historitë e vjetra, hartat e një kohe tjetër do të mbizotërojnë, ne nuk do të jetojmë më në botën që njohim, por në një botë ku më i fuqishmi vendos e të drejtat do të minohen”, u shpreh ai.

Rama theksoi se ka shumë mësime që mund të nxirren nga historia jonë në Ballkan, por ajo që po ndodh sot në Ukrainë, shtoi ai, është një tjetër mësim.

“Që na thotë se nuk duhet kurrsesi të biem pre e relativizimit të këtij konflikti, të mos biem pre e relativizimit të dy palëve, sepse është shumë e qartë për ne: ka një agresor dhe ka një viktimë. Gjithçka tjetër është ç’orientuese në mënyrë të rrezikshme”, deklaroi kryeministri.

Sa i përket Ballkanit Perëndimor, Rama tha se është një rajon që ka probleme, por se duhet të bashkëpunojmë për gjërat në interesin e përbashkët.

“Kur vjen fjala për Ballkanin Perëndimor dhe ne së bashku ndamë disa mendime, sigurisht që nuk jemi një rajon pa probleme, ku nëse do të ndezësh një luftë e ke të vështirë të gjesh harta, histori, apo një mesazh që mbështetet në lavditë e së shkuarës. Përkundrazi, jetojmë në një terren pjellor, ku është derdhur shumë gjak për shkak të luftës kundër njëri-tjetrit. Por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku në një mënyrë të tillë që të bashkëpunojmë për atë që është në interesin e përbashkët dhe më pas të debatojmë e shkëmbejmë në mënyrë paqësore për atë mbi të cilën nuk biem dakord”, u shpreh Rama.

Rama nënvizoi se ne e kemi mbështetur Ukrainën edhe me paketa mbështetjeje të cilat nuk janë hua dhe nuk janë as pjesë e ndonjë biznesi.
“Kurrë nuk i kemi kërkuar Ukrainës të kthej mbrapsht ndonjë gjë nga to çka kanë marrë prej nesh, modeste sigurisht, këto janë mundësitë tona, por pa asnjë dyshim e kemi bërë e do të bëjmë gjithçka që mundemi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ne jemi absolutisht të vetëdijshëm se për atë font lufte, kjo është diçka shumë e vogël”.

“Drejtpërdrejt kështu, për veten tonë. Ky nuk është kërcënim ekzistencial vetëm për Ukrainën, ky është kërcënim ndaj gjithçkaje që ne mendojmë se duhet të jetë e ardhmja jonë dhe kjo nuk është retorikë. Nëse duam një të ardhme në BE, duam Bashkimin Europian, nuk duam ta shohim BE të shpërbëhet pasi hyn apo pasi ka hyrë në një luftë të brendshme gërryese të pafundme se çfarë lloj rregullash, vlerash apo veprimesh janë të justifikuara apo që nuk justifikohen”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se ka pasur shumë sanksione kundër Rusisë, por sigurisht ne e dimë se varësia nga gazi e nafta ruse nuk është kaq e thjesht.

“Rritja e çmimeve, rritja e kostos së jetesës në vendet më të pasura, janë pjesë e planit për ta bërë opinionin publik që të nisë e të thotë nuk mund të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën. Problemi është se nëse i merr një të varfëri diçka, nuk është se kjo do ta bëjë të ndryshojë mendje, por nëse ja merr diçka një të pasuri, ai mund të çmendet, mund të humbasë mendjen. Kështu që llogaria është shumë e qartë dhe për ne ky është kyçi”, tha Rama.

“Ballkani Perëndimor është i vetmi realitet, ndryshe nga Ukraina, që rrethohet me kufij të BE-së. Bashkimi Europian është i vetmi realitet në histori që ka dy kufij, një të jashtëm e një të brendshëm. Ne jemi brenda BE-së fizikisht, por jemi jashtë BE-së politikisht, ndaj duam të integrohemi plotësisht në këtë trup dhe nuk duam ta shohim këtë organizëm të shpërthejë, sepse po të jetë kështu do të mbetemi pa të ardhme”, tha Rama.