Zyra e BE-së në Kosovë: Të respektohet pavarësia e KPM-së

Zyra e BE-së në Kosovë: Të respektohet pavarësia e KPM-së

Aktuale February 22, 2024 - 19:48

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përsëriti përkushtimin për të mbështetur pavarësinë e peizazhit mediatik të Kosovës. BE ka theksuar nevojën e ruajtjes së autonomisë së Komisionit të Pavarur për Media (KPM) në Kosovë.

Gjatë një takimi me Kryesuesin e Komisionit të Pavarur për Media, diskutimet u zhvilluan rreth mbrojtjes së pavarësisë së KPM-së nga çdo formë e ndërhyrjes politike.

“Në një takim me Kryesuesin e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Shefi i Seksionit për Sundimin e Ligjit dhe Çështjet Juridike të PSBE-së theksoi se pavarësia e KPM-së do të respektohet në çdo kohë, se çdo ndërhyrje e motivuar politikisht do të eliminohet dhe se anëtarët e KPM-së duhet të jenë të lirë të ushtrojnë detyrat e tyre. Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për projektligjin për KPM, i cili aktualisht është duke u analizuar nga BE-ja. Mbetet thelbësore që Kosova ta miratojë Ligjin në një proces të shpejtë, të hapur dhe transparent, me konsultime të duhura duke përfshirë shoqërinë civile dhe organizatat mediatike”, thuhet në njoftimin e zyres së BE-së në Kosovë.