Kurtaj: Përfshirja e fotografive të Thaçit në librin tim, ishte për ta bërë librin më të lexuar
Dëshmitari Hajrush Kurtaj ka thënë se arsyeja e përfshirjes së fotografisë së Hashim Thaçit në librin e tij, ishte për ta bërë librin më të lexuar.
Gjithashtu, dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Thaçit, Luka Mishetiq, edhe një herë e konfirmoi që gjatë luftës as nuk ka biseduar dhe as s’e ka takuar Thaçin.
Ndërsa, përshkrimin në librin e tij si dorëshkrim të një interviste të bërë me Shkukri Bujën, dëshmitari e quajti si lëshim teknik të tij.
Të gjitha këto përgjigje, dëshmitari i tha pas pyetjeve të avokatit Mishetiq.
Për sot, ka përfunduar dëshmia e këtij dëshmitari, i cili do të vazhdojë edhe nesër të dëshmojë.
Hajrush Kurtaj tha se dokumentet që i ka publikuar në librin e tij i ka marrë në administratën e Komandës së Zonës së 6-të të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), por nuk ka hulumtuar për vërtetësinë e tyre.
“Nuk i kam marrë nga arkiva, por nga administrata e Komandës së Zonës së 6-të të TMK-së, aty ku kam pasur qasje, por nuk jam lëshuar në hulumtime për vërtetësinë e këtyre dokumenteve”, tha dëshmitari Kurtaj.
Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Hashim Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, lidhur me vërtitësinë e dokumenteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, dëshmitarit Kurtaj është pyetur për angazhimet e tij ushtarake dhe civile.
Në pyetjen e avokatit Mishetiq se a ka qenë përkrahës i Ibrahim Rugovës gjatë luftës dhe pas saj, dëshmitari e konfirmoi këtë gjë.
Po ashtu, dëshmitari e ka konfirmuar se ka qenë i anëtarësuar në Partinë Demokratike të Kosovës dhe më vonë edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Dëshmitari e ka konfirmuar që e njeh Adem Salihun, por tha se nuk ka bashkëpunuar me të e as me Lidhjen Demokratike të Kosovës në Ferizaj, ndërsa kur është pyetur që a e njeh Fazli Etemin, ai e pohoi këtë gjë. /BetimipërDrejtësi