14 nxënës në Gjakovë preken nga zgjeba
14 nxënës filloristë të komunës së Gjakovës janë prekur nga sëmundja e zgjebes. 3 nga këto raste janë shënuar në shkollën fillore të mesme të ulët "Selman Riza" në lagjen Dardania.
Drejtori i shkollës, Gjokë Osmani ka deklaruar për RTK se nga 6 raste sa ishin të dyshuara, vetëm tre prej tyre janë identifikuar pas kontrollit nga ekipet mjekësore.
"Pas vizitës specialistike është konstatuar se 3 prej tyre janë të prekur. Ata janë duke u trajtuar në shtëpi, ndërsa ne i kemi ndërmarrë të gjitha masat duke e dezinfektu komplet objektin e shkollës, e duke e rritur nivelin e higjenës”, tha mes tjerash drejtori i shkollës, Gjokë Osmani.
Ndërkohë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gjakovë, situata është nën kontroll të plotë, pasi ekipet vazhdimisht janë në terren.
"Numri i nxënësve të infektuar deri tash është 14. Janë 4 ekipe të kontrolleve të cilët dalin non-stop nëpër shkolla. Janë të lajmëruar edhe drejtorët e shkollave që nëse vërejnë ndonjë ndryshim apo ankesë si të prindërit ashtu edhe te nxënësit, atëherë janë të dedikuara ekipet që do ti ndërmarin masat", tha Adelina Shehu Kola, drejtoreshë e Shëndetësisë në Gjakovë.
Dermatologët thonë se nuk ka vend për shqetësim të tepruar.
Dermatologu Arsim Riza tha se zakonisht përhapja më e madhe e zgjebes bëhet në kopshte, në institucione parashkollore dhe në shkolla fillore.
“Trajtimi zakonisht bëhet me preparate antiparazitore tableta ose sirupe kundër kromës ndërsa tretmani i saj shkon deri në 5 ditë", theksoi Riza.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë në Komunën e Gjakovës, rasti i fundit i paraqitjes së zhugës ka qenë më datën 9 të këtij muaji.