Në Prishtinë pro ndalimit të dinarit, kundër rrezikimit të raporteve me SHBA-në
Foto: Laura Hasani

Në Prishtinë pro ndalimit të dinarit, kundër rrezikimit të raporteve me SHBA-në

Aktuale February 14, 2024 - 20:20

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të tërhiqet nga zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin.

Për më shumë, ndihmësekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, tha se zbatimin i vendimit mund të vërë në pikëpyetje raportet SHBA-Kosovë.

Qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth vendimit të BQK-së dhe kërkesës së SHBA-së që Kosovë të tërhiqet nga ky vendim.

“Shtetet e Bashkuara i kemi miq, patjetër duhet me u tërheq (vendimi), por është puna se duhet të jepet edhe garanci për t’u tërhequr. Një garancion që nuk bëjnë më, nuk vlen dinari më, duhet me na dhanë ndërkombëtarët bashkë me miqtë amerikanë. Ata (amerikanët), i kemi miqtë më të mirë, na kanë ndihmuar, edhe për luftë edhe për krejt”, tha për Radion Evropa e Lirë një qytetar.

Për qytetaren Afërdita Kastrati, Kosova është shtet dhe duhet të respektohen ligjet e shtetit.

“Duhet të gjejnë një kompromis edhe ata. Jo tash të shihet vetëm sipas rregullave të minoriteteve të punohet, duhet sipas rregullave të shtetit tënd. Ne jemi shtet veç tash”, u shpreh ajo.

Edhe për Muhamet Demollin, qytetar nga Prishtina, partneriteti i Kosovës me SHBA-në është thelbësor.

“Mendoj se nuk duhet të rrezikohet (partneriteti), sepse ne pa SHBA-në, dihet se asgjë Kosova nuk do të kish mundur të arrijë. Ata janë miqtë tanë kryesorë dhe falë tyre gëzojmë lirinë”, theksoi ai.

Ndërkaq, Getoar Oraca, thotë se duhet të mbrohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e Kosovës, por që sipas tij, duhet të respektohen edhe miqtë ndërkombëtarë.

“Duhet ta mbrojmë kushtetutën dhe ligjin. Duhet t’i respektojmë miqtë tanë tradicionalë. Iu kemi borxh moralisht e shpirtërisht gjithë jetën, por shtetin duhet ta respektojë kushdoqoftë, iu pëlqeu apo nuk i pëlqeu”.

Ndërkaq Alajdin ALishani, thotë se Amerika nuk duhet ta ashpërsojë miqësinë me Kosovën për vendimin për dinarin.

“Nuk besoj se duhet. Edhe Amerika nuk duhet ta ashpërsojë miqësinë tonë që e kemi të përhershme pse po respektohet autonomia e BQK-së. Mandej (ndalimi i dinarit) është për të mirën e respektimit të Kushtetutës së Kosovës”, u shpreh ky qytetar.