Raporti me SHBA-në, opozita kritikon Qeverinë për qasje kokëfortësie
Deputetë të Kuvendit të Kosovës nga pushteti dhe opozita kanë folur për qeverisjen e drejtuar nga Albin Kurti në trevjetorin e zgjedhjeve, si dhe për raportet që shteti ka aktualisht me miqtë ndërkombëtar, sidomos me Shtetet e Bashkuara pas vendimeve të fundit.
Deputeti Haxhi Avdyli, që është pjesë e Grupit Parlamentar të LVV-së nga Partia Guxo, tha se çdo ftohje me partnerët ndërkombëtarë e marrin me shqetësim, por sipas tij Kosova nuk mund të ndalet në vendosjen e shtetësisë.
Ai shtoi se kupton shqetësime te ndërkombëtarëve lidhur me pakicat, për të cilët kërkojnë që të ndihen mirë gjatë procesit të tranzicionit.
Ndërkohë deputetët opozitar kanë qenë kritik ndaj qeverisjes duke thënë e quajtur qeveri që solli masa nga partnerët ndërkombëtar e prishje marrëdhëniesh me aleatët.
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, tha se në asnjë segment nuk vërehet forcimi i shtetit në qeverisjen Kurti në këto tri vjet, përkundrazi, sipas tij, Kosova është zhytur në një krizë të thellë ekonomike. Ndërsa lidhur me raportet me shtetet partnere të Perëndimit, Qalaj tha se janë të lënduara, sidomos me SHBA, sipas tij, për shkak të politikës kokëforte të qeverisë.
“Raportet me SHBA të lënduara, deklarata e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, është shokuese dhe është sinjal shumë i keq jo vetëm për qeverinë e Kosovës, por edhe për popullin e Kosovës”, deklaroi Qalaj, teksa shtoi se veprimet duhet të jenë të koordinuara me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Ndërkaq deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, lidhur me raportet e Qeverisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, tha se tash e tri vite kjo qeverisje ka sjellë masa e prishje marrëdhëniesh me partnerët ndërkombëtarë.
Ndërkaq deputetja e nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, kritikoi qeverinë Kurti për mostransparencë, derisa lidhur me raportet me shtetet partnere të Perëndimit, sidomos me SHBA, ajo tha se është hera e parë që Kosova ka të tilla raporte me SHBA-në. /Rtk