Ndalohet të hyjë në Kosovë një automjet që bartte dinarë, Dogana: Po zbatohet Rregullorja e BQK-së

Ndalohet të hyjë në Kosovë një automjet që bartte dinarë, Dogana: Po zbatohet Rregullorja e BQK-së

Aktuale February 14, 2024 - 14:42

Mediat serbe raportuan se një automjet që po transportonte dinarë serbë është ndaluar në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Jarinjë.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, tha RTKlive se në këtë pikëkalim kufitar u paraqitën disa persona si përfaqësues të “Komercijalna Banka”, e cila është mbyllur.

“Në pikëkalimin kufitar të Jarinjës janë paraqitur disa persona që pretendojnë se përfaqësojnë ‘Komercijalna Bankën’, e cila tashmë është mbyllur. Këta persona janë interesuar për procedurën e lëvizjes së parave të gatshme, të njëjtët janë udhëzuar të ndjekin njoftimet e BQK-së, derisa Dogana e Kosovës po ashtu zbaton normat e njëjta ligjore”, tha ai.

Ndryshe, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës kishte njoftuar se “Komercijalna Banka AD Beograd” ka mbyllur të gjitha degët në Republikën e Kosovës më 31 janar 2024.