Diplomaci e “tensionuar”, analistët kërkojnë reflektim të Qeverisë pas deklaratave të O’Brienit
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, u shpreh O’Breini.
E një deklaratë e tillë po shihet si shumë e ashpër nga analistët dhe njohësit e çështjeve politike në vend.
Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se nuk është hera e parë që deklarata të tilla nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës.
“Nuk është hera e parë që deklaratat e tilla të SHBA-së nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës. Është shqetësuese sesi kryeministri Albin Kurti nuk po arrin t’i bindë partnerët ndërkombëtarë për vendimet që merr”, tha Mushkolaj.
Mushkolaj më tej shtoi se veprimet që ndërmerren nga ana e qeverisë duhet të analizohen mirë.
“Për ta është shumë i rëndësishëm stabiliteti i vendit, andaj çdo vendim që ka potencial për ta përkeqësuar situatën e sigurisë duhet të analizohet mirë. Se a do të futen në krizë raportet me SHBA-në varet nga bashkëpunimi i Kurtit, por mesazhi amerikan është i qartë”, theksoi Mushkolaj.
Ndërkaq profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, tha se nga deklarata e sekretarit James O’Brien, lënë të nënkuptojë shumë gjëra, por dy janë të rëndësishme.
“E para: që nga ardhja e Kurtit në pushtet kemi pasur një krizë alarmante të raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së, gjithmonë ka ekzistuar kjo kriza e tensionimeve të raporteve. E dyta: tash jemi në gjendje kritike, pra Qeveria e Kosovës pas kësaj deklarate publike është nën tehun e gijotinës dhe çdo veprim i gabueshëm mund të ketë prerje”, tha Arifi në një prononcim për Telegrafin.
Ai më tej tha se fjala publike e Qeverisë amerikane që mund ta ndërpresim partneritetin nëse nuk trajtohemi si të tillë, është sepse në kanalet diplomatike bilaterale, Qeveria e Kosovës nuk i ka kuptuar apo nuk ka dashur t’i kuptojë sugjerimet e SHBA-së.
“Kur jepet një deklaratë e tillë publike është sepse kanë dështuar negociatat diplomatike mes Kosovës dhe SHBA-së, prandaj gjendja është shumë kritike. Nëse këto tre vjet Qeveria e Kosovës nuk ka mësuar asgjë nga ajo sesi duhet të bashkëpunoj me partnerët dhe sa duhet të jetë e sinqertë me disa partnerë besoj që pasojat do ti pësojmë të gjithë”, tha Arifi.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj dhe kundërshtimit nga serbët e Kosovës.
Të hënën, BQK-ja njoftoi se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj do të zgjasë deri në tre muaj, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, por se ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje. /telegrafi