Aliu jep detaje rreth shpronësimeve, rruga 12.8 km Kijevë - Zahaq do të kushtojë 32 milionë euro
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dalë me njoftim, pas votimit në mbledhjen e Qeverisë të vendimeve për Shpronësimin e Pronave të Paluajtshme për realizimin e rrugës nacionale N9 Kijevë - Zahaq, segmenti Kijevë - Dollc.
Aliu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se ndërtimin e kësaj rruge kanë ndarë 32 milionë euro dhe se rruga është e ndarë në katër lote, me gjatësi totale prej 12.8 km, raporton Zeri.info.
Postimi i plotë:
Në mbledhjen e sotshme të Qeverisë, të 188-tën me radhë, miratuam vendimet për Shpronësimin e Pronave të Paluajtshme për realizimin e Rrugës Nacionale N9 Kijevë - Zahaq, segmenti Kijevë - Dollc.
Këto njëherësh janë vendimet përfundimtare për shpronësimin e pronave të paluajtshme (tokave) të pronarëve dhe të palëve të interesit, të cilët preken nga realizimi i këtij Projekti, përkitazi Zona Kadastrale: Kijevë, Komuna e Malishevës dhe Zonat Kadastrale: Çabiq, Zabërgjë, Gllarevë, Dresnik, Gremnik dhe Dollc të Komunës së Klinës.
Rruga Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, segmenti Kijevë - Dollc, është e ndarë në 4 lote, me gjatësi totale prej 12.8 km dhe me një buxhet të planifikuar prej 32 milionë€. Jemi të përkushtuar plotësisht për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të rajonit të Dukagjinit.