Qeveria ia jep në shfrytëzim banesën e konfiskuar familjes së 11-vjeçares që ishte viktimë e trafikimit dhe dhunimit
Foto: Laura Hasani

Qeveria ia jep në shfrytëzim banesën e konfiskuar familjes së 11-vjeçares që ishte viktimë e trafikimit dhe dhunimit

Aktuale February 14, 2024 - 11:15

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të një banese të konfiskuar për 11-vjeçaren, e cila kishte qenë viktimë e trafikimit dhe dhunimit dhe familjen e saj.

Kryeministri Albin Kurti tha se kjo banesë është me sipërfaqe 100 metra katrorë dhe se me këtë veprim dëshmojnë përkushtimin për t’i mbështetur viktimat.

“Komisioni rekomandues i Ministrisë së Drejtësisë ka rekomanduar dhënien në shfrytëzim të banesës së konfiskuar prej 100 metra katrorësh për viktimën e trafikimit dhe dhunimit dhe familjen e saj, e njohur edhe si rasti i 11-vjeçares. Përmes veprimeve të tilla ne edhe një herë dëshmojmë përkushtimin tonë për mbështetjen e viktimave, veçanërisht të viktimave të dhunës”, tha Kurti.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu deklaroi se banesa do t’i jepet në shfrytëzim kësaj familjeje për një periudhë 5-vjeçare.