Njohësi i çështjeve të sigurisë: Fletushkat e shpërndara në veri, japin efektin e pasigurisë të qytetarët
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku, ka thënë se Serbia për situatën në veri fajtor kryesor e konsideron kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Për Serbinë përgjegjësi kryesor për këtë rezistencë permanente mbahet Albin Kurti. Prandaj, Albin Kurti si kryeministër i Kosovës por edhe si personalitet është ‘fajtori kryesor’”.
Kështu ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku në RTV Dukagjini.
Ndërsa për fletushkat e sotme në veri Çollaku ka thënë se kjo është gjenezë e vatrave të konfliktit.
“Në fletushkat e shumta, në grafitet tjera dhe në modalitetet e shprehjes së këtyre kërcënimeve kanë një efekt tek opinion, tek qytetarët në kuptimin e një pasigurie”, njohësi i çështjeve të sigurisë.
Çollaku ka thënë se si modalitete të tilla kanë një gjenezë të praktikuar në vatrat e krizave dhe periudhave tranzitore dhe sensitive në periudhën kohore jo të largët.
Disa fletushka të një organizate të re “Mbrojtja Popullore” janë shpërndarë të hënën në veri të vendit, në të cilat janë dhënë udhëzime për “t’iu kundërvënë Policisë së Kosovës dhe administratës komunale”.
Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka hapur rast për thirrje për rezistencë.
Fletushkat me udhëzime të detajuara për serbët janë zbuluar në mbrëmje pas protestës së pensionistëve të zhvilluar në veri të vendit gjatë ditës së hënë.
Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, ka konfirmuar se hetimi është hapur pasi broshurat janë shpërndarë gjatë dhe pas protestës, dhe se ende nuk ka të dyshuar ose të arrestuar.
Elshani ka thënë se lidhur me këtë situatë nuk ka ndonjë të arrestuar apo të dyshimtë, derisa ka theksuar se këto zhvillime po i marrin me seriozitet.
“Informacionet e para që ne i kemi është se pas protestës e cila është zhvilluar dje, ka pasur shpërndarje të këtyre fletushkave nëpër hyrje të ndërtesave, mirëpo ato kanë qenë si thirrje për rezistencë, nxitje të urrejtjes, kështu janë hapur rastet, por nuk kemi të arrestuar dhe të dyshimtë për momentin, edhe pse jemi duke punuar për ndriçim të rastit. Nuk janë hiç shqetësuese deri nuk i shohim këto në praktikë duke u vepruar, nuk janë shumë shqetësuese për ne. Mirëpo, i marrim me seriozitet. Krejt të vogla janë këto”, ka thënë Elshani.
Ai ka treguar se lidhur me rastin janë njoftuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Prokuroria Speciale dhe KFOR-i.