Gjoshi: BQK-ja më së paku e Kosovës, është strehë e militantëve të Kurtit
Shefi organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se Institucioni i Bankës Qendrore të Kosovës është një strehë e militantëve të kryeministrit Albin Kurti.
Sipas Gjoshit, BQK-ja më së paku është e Kosovës dhe ajo shërben si kukulla për lojëra politike, transmeton Zeri.info.
“Banka Qendrore e Kosovës më së paku është e Kosovës, por një strehë e militantëve të Albin Kurtit, që shërbejnë si kukulla për lojëra politike.
Prej fundit të vitit të kaluar dhe gjatë gjithë janarit e deri më tani në shkurt, BQK-ja ka vepruar me urdhra politikë që i shërben agjendës politike të një partisë në pushte”, shkroi Gjoshi.
Sipas tij, BQK-ja nuk është e pavarur.
“BQK-ja e çoi flamurin e bardhë dhe e dorëzoi pavarësinë (të rrejshme) pas urdhrit politik të Albin Kurtit.
“Pavarësia” e BQK-së i shërbeu Kurtit vetëm për t’u përplasur me aleatët e Republikës së Kosovës, që shkoi deri në Këshillin e Sigurimit, sikur të ishte një dhuratë e rënë nga qielli për Serbinë, Rusinë dhe Kinën”, shkroi ai. /Zëri