Dështon të nis shqyrtimi fillestar ndaj 23 zyrtarëve policorë të akuzuar për korrupsion, tre prej tyre pa avokatë
Për shkak se të akuzuarit Agim Hadërgjonaj, Fatmir Sadku dhe Valon Hoxhaj nuk kishin angazhuar avokatë, ka dështuar të nis shqyrtimi fillestar në rastin ku të njëjtit bashkë me 20 zyrtarët tjerë policorë po akuzohen për korrupsion.
Të akuzuar në këtë rast janë: Ahmet Kasumaj, Ahmet Shabanaj, Agim Hadërgjonaj, Besim Lokaj, Demë Lokaj, Fatmir Sadiku, Fazli Gjonbalaj, Gani Ahmeti, Gëzim Hoxhaj, Gzim Shabani, Gëzim Turkaj, Haki Dobraj, Hamëz Puka, Hysen Hasani, Isa Dobraj, Ismet Tahiraj, Lush Himaj, Mergim Bekaj, Rasim Tolaj, Skender Meta, Xhemë Hadërgjonaj, Xhevdet Haklaj dhe Valon Hoxhaj, të gjithë zyrtarë policorë.
Gjykatësi i rastit, Valon Kurtaj tha se për shkak se të akuzuarit Hadërgjonaj, Sadiku dhe Hoxhaj nuk kanë angazhuar avokatë, nuk plotësohen kushtet për mbajtjen e shqyrtimit fillestar.
Të njëjtëve, gjykata do t’ua angazhojë nga një mbrojtës sipas detyrës zyrtare për seancat e radhës.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj 23 zyrtarëve policorë, të cilët ngarkohen për korrupsion të kryer në pikën kufitarë Qafë-Morinë.
Në aktakuzë, thuhet se në periudhën kohore, gusht 2021 e deri në janar 2022, në pikën kufitare “Qafë Morinë”, në regjionin e Gjakovës, të lartcekurit në cilësinë e personave zyrtarë, atë të policit për mbikëqyrje të kufirit, me dashje dhe në vazhdimësi, individualisht dhe në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Gjithnjë sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë ngarkohen se kishin pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, me qëllim që t’iu mundësohet të hyjnë në territorin e Kosovës.
E gjithë kjo sipas aktakuzës, në shkelje të Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, Ligjit për Policinë e Kosovës dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Andaj, sipas dosjes së PSRK-së, gjithë zyrtarët policorë po akuzohen qoftë individualisht apo edhe në bashkëkryerje me njëri-tjetrin për veprën penale “Marrje ryshfeti”. Kurse, të akuzuarit Agim Hadërgjonaj, Mergim Bekaj, Ismet Tahiraj, Ahmet Kasumaj, Isa Dobraj dhe Fatmir Sadiku ngarkohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Tutje, në aktakuzë në kuadër të provave janë listuar edhe video-incizime për të dëshmuar veprimet e të akuzuarve.
Gjithashtu, në disa raste në aktakuzë specifikohen edhe komunikimet që të akuzuarit i bëjnë me qytetarët, duke ua mundësuar kështu kalimin e kufirit të njëjtëve pa i vlerësuar se a i plotësojnë kushtet.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit thuhet se kanë marrë para nga qytetarë shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë në shuma të papërcaktuara dhe krejt kjo derisa të njëjtit ishin duke punuar në cilësinë e zyrtarëve policorë. /BetimipërDrejtësi