Maqedonci: “Javeline”, sistem me të cilin do të pajiset FSK-ja, tashmë fakt i kryer

Maqedonci: “Javeline”, sistem me të cilin do të pajiset FSK-ja, tashmë fakt i kryer

Aktuale February 12, 2024 - 22:47

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i është gëzuar lajmit që sot ka përfunduar periudha 30-ditore e njoftimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemit antitank Javeline.

Me anë të një postimi në Facebook, Maqedonci ka thënë se tani mund të vazhdojnë me hapat e tjerë.

“Proceduralisht jemi në pritje të ofertës nga ana e ShBA-së, që pastaj bazuar në të dhe planin e zhvillimit të FSK-së, të realizojmë blerjen. Javeline, sistem me të cilin do të pajiset FSK, tashmë fakt i kryer”, shkroi Maqedonci.

Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Bëhet fjalë për 246 raketa kundërtanke të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.

Njoftimi për synimin e Kosovës që të blejë sisteme raketore nga SHBA-ja vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar këtë lajm “zhgënjim i madh”.

Kosova, edhe në të kaluarën ka blerë ose ka pranuar në formë donacioni armë nga Shtetet e Bashkuara.