Që nga vendimi, adoptohen 53 qen endacakë në Prishtinë
Vetëm gjatë vitit të kaluar, Klinika Emergjente e QKUK-së ka trajtuar 83 raste nga kafshimi i qenve në përgjithësi.
Kështu tha drejtori i emergjencës, Naser Syla. Sipas tij, këtë vit, deri më tani vetëm 6 raste të kafshimit nga qentë në përgjithësi.
Në mungesë të dhënash nga komuna lidhur me trajtimin e qenve endacak, Elza Ramadani nga “Fondacioni për të drejtat e kafshëve” tha se s'kanë çfarë të thonë pa këto të dhëna. Por shtoi se së shpejti qentë do të numërohen në mënyrë që të dihet numri i tyre.
Plani i Komunës së Prishtinës është që qentë të adoptohen dhe adoptuesit të përfitojnë nga 50 euro në muaj. Deri më tash janë adoptuar 53 qen endacakë.
Habib Qorri nga Drejtoria për siguri dhe emergjenca, tha se gjatë vitit 2022-2023 janë trajtuar mbi 3400 qenë endacakë, janë zhvilluar aktivitete dhe janë ngritur 24 ushqyese të cilat furnizohen me ushqim rregullisht.
“Janë vendosur edhe mikroqipat në menyrë që të kemi një shifër të saktë të trajtimit dhe regjistër të saktë të trajtimit të tyre”, tha mes të tjerash Qorri.
Edhe këtë vit Komuna e Prishtinës do të vazhdojnë me planin e njëjtë sikurse vitet e kaluara për trajtimin e qenve endacakë. /rtk