Kurti: E vështirë të procedojë me Asociacionin kur Serbia s’e nënshkruan marrëveshjen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin prestigjioz amerikan Bloomberg, ka thënë se e ka të vështirë të procedojë me themelimin e Asociacionit.
Gjatë intervistës, Kurti theksoi se Serbia ka shpërfillur marrëveshjen e vitit të kaluar dhe ka injoruar aneksin e zbatimit të nënshkruar në Ohër.
“Në këto rrethana, për mua bëhet jashtëzakonisht e vështirë të vazhdoj më tej në një proces ku pala tjetër nuk e përfill marrëveshjen dhe madje shkon aq larg saqë dërgon një letër në të cilën deklaron se nuk e respekton më atë”, u shpreh Kurti.
Ndërsa, themelimi i Asociacionit konsiderohet si një çësje e urgjent nga bashkësia ndërkombëtare, e cila thekson nevojën që Kosova të ndërmarrë hapat ligjërisht obligative për ta bërë realitet.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, vetëm një javë më parë, ka bërë thirrje që qeveria kosovare të pranojë draft-statutin e prezantuar nga Bashkimi Evropian dhe t’i lejojë kështu rrugën kalimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.
“Ne mendojmë se kjo qeveri duhet ta adoptojë draft-statutin e sugjeruar në një formë me të cilën pajtohet Gjykata, për të mundësuar që ajo të kryejë një kontroll të legalitetit përmes një rishikimi kushtetues, çka është një hap kyç në këtë procedurë,” deklaroi ambasadori Hovenier nër RTV21.
Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK) Ramush Haradinaj, në janar ka thënë për Telegrafin se mënyra se si ka vepruar Kurti për Draft – Statutin e Asociacionit, ka qenë e gabuar.
Haradinaj thekson se ka qenë e rëndësishme që Kosova ta shkruante një propozim të tillë në mënyrë që të kishte bazë Kushtetuese.
E këtë shton ai nuk e ka bërë Kurti, përkundër sipas tij kërkesës së SHBA-së dhe BE-së.
Madje, lideri i Aleancës thotë se Draft-Statuti i referohet Rezolutës 12/44, e që i bie, se është kthyer para Pakos së Ahtisaarit.
“Mendoj që e kisha shkruar një propozim të Kosovës, çka është Asociacioni në bazë të Kushtetutës, e ligjeve tona, duke ia dorëzar Bashkimit Evropian. Kjo është ofeta e Kosovës, amerikanët dhe evropianët ia kërkonin Kurtit, një draft të tillë, por nuk e dha. Çka është edhe më e keqja, tha unë e pranoj atë por duhet ta nënshkruaj edhe Vuçiq, e tani dokumenti i Asociacionit quhet 1244, që është një çudi e madhe. Pra kjo është ajo që unë kam dilema se i kujt është ky njeri (Kurti)”, kishte thënë Haradinaj.Të gjitha institucionet e Serbisë në Kosovë – nga komunat deri te shkollat e spitalet – do të duhej të përfshiheshin në Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që pritet të themelohet.
Kjo është paraparë në një draft-statut të këtij asociacioni, të hartuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe të pranuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.