Ish-ambasadori Prenkaj për çështjen e dinarit: Ky vendim i shkaktoi Kosovës dëme në arenën ndërkombëtare
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar të hënën se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj. Serbët lokalë të Kosovës protestuan në Mitrovicën e Veriut të hënën kundër kësaj rregulloreje.
Ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, në intervistë për Abcnews, tha se ky është një vendim, i cili i ka shkaktuar Kosovës një dëm shumë të madh në arenën ndërkombëtare.
“Është një vendim politik, që i ka shkaktuar Kosovës një dëm shumë të madh në arenën ndërkombëtare. Kryeministri Kurti dhe kjo qeveri e tij, me pompozitet ka dhënë deklarata se dinari më në fund do të dalë nga Kosova dhe bankënotë nacionale do të jetë vetëm euroja, edhe pse euroja kontrollohet nga Bankat Qendrore e BE. Kemi patur veprimet totalisht të panevojshëm të mbylljes së zyrave ilegale serbe, të cilat kanë shkaktuar indinjatë tek serbët lokalë, që i shkaktoi Kosovës një seancë Këshillin e Sigurimit në OKB. Kjo seancë ishte një karton i kuq për Kosovën. Paraqitja jonë atje ishte paraqitje në bankën e fajtorit. Është dëmtim i imazhit të Kosovës, i cili do ta përcjellë Kosovën për një periudhën edhe pas kësaj qeverie dhe qeveritë e tjera do të kenë po të njëjtën situatë, ku imazhi i Kosovës është dëmtuar shumë keq”, u shpreh ai.
Ai shtoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpeshherë në retorikën e tij shfaq divergjenca dhe kundërshtime me SHBA, aleatin kryesor të shtetësisë së Kosovës.
“Kemi një divergjencë në aspektin deklarativ të Kurtit me SHBA, deklaratat e tij të pamatura karshi miqve të mëdhenj të Kosovës, atyre të cilët janë sponsor të shtetësisë së Kosovës”, tha ai.