Pushteti dhe opozita propozojnë ndryshime ligjore, do të vazhdohet afati i lejeve për vozitje
Vetëm disa orë para skadimit të afatit të lejeve për vozitje që janë me emrin e vjetër të shtetit, qeveria dhe opozita kanë iniciuar ndryshime ligjore.
Ministri teknik i Punëve të Brendshme i ka dorëzuar në Qeveri dhe në Kuvend ndryshimet ligjore, së bashku me grupin e deputetëve të OBRM-PDUKM-së. Ai propozon që data e vlefshmërisë së lejeve për vozitje dhe pasaportave të jetë deri më 31 dhjetor 2024.
Edhe grupi i deputetëve të LSDM-së, paralajmëroi ndryshime ligjore me të cilat lejet e vozitjeve, librezat për vozitje, si dhe polisat e sigurimit do të vlejnë edhe pas 12 shkurtit.
Ndryshim urgjent të ligjit ka kërkuar edhe presidenti Stevo Pendarovski. Ai sot deklaroi se të gjitha grupet e deputetëve kanë dhënë mbështetje dhe rreth orës 18 do të mbahet seanca në Kuvend, në të cilën do të votohen ndryshimet ligjore.
“Mendoj se në ligj do të ketë dhjetë muaj plus, dhe në këtë periudhë duhet të ndryshohen 270 leje për vozitje”, tha Pendarovski.