Policia jep detaje për protestën e sotme në veri të Mitrovicës, tregon sa serbë morën pjesë
Serbët në veri të Mitrovicës mesditën e së hënës (sot), kanë protestuar kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili e ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.
Gjatë kohës sa po mbahej protesta, kishte forca të shtuara të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, raporton Zeri.info.
Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë lidhur me protestën e sotme në komunën e Mitrovicës së veriut.
Sipas Policisë, në protestën e cila filloi rreth orës 12:00 dhe përfundoi në ora 12:30, morën pjesë rreth 1 mijë e 800 person.
Policia njofton se gjatë kësaj kohe nuk pati asnjë incident dhe se protesta përfundoi e qetë.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës, pa ndërhyrje:
Lidhur me protestën e mbajtur sot (12.02.2024 - ora 12:00) në shesh të Mitrovicës Veri, Policia e Kosovës me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës.
Ashtu siç parashihet me ligjin mbi tubimet publike, protesta ka qenë e paralajmëruar nga organizatori, e që në këtë rast ka qenë shoqata e pensionistëve si dhe parimisht ishte marrë pëlqimi nga autoritetet komunale për shfrytëzimin e hapësirës publike.
Policia e Kosovës ç’do herë ka njohur dhe njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Protesta në të cilën kanë marrë pjesë rreth 1.800 persona, përfshirë ata të cilët nga rajone të ndryshme kanë ardhur në formë të organizuar me autobus e vetura, ka përfunduar në ora 12:30 dhe ka kaluar e qetë pa ndonjë incident. /Zëri