Serbët përfundojnë protestën kundër ndalimit të dinarit [foto]
Foto: Laura Hasani

Serbët përfundojnë protestën kundër ndalimit të dinarit [foto]

Aktuale February 12, 2024 - 13:11

Para pak çastesh ka përfunduar protesta në veri të Mitrovicës.

Serbë nga të gjitha komunat veriore kanë protestuar në Mitrovicë kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vendim ky që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, raporton Zeri.info.

Image

Në këtë protestë, protestuesit kishin pankarta të ndryshme kundër kryeministrit Albin Kurti, por edhe u bënin thirrje ndërkombëtarëve që të ndalohet ky vendim.

Po ashtu në këtë protestë kishte edhe flamuj rus, në të cilët shkruhej “Rusia”.

 

Para mbajtjes së protestës, e cila zgjati për më pak se një orë, sindikata që përfaqëson punëtorët që punojnë sipas sistemit serb, i ftojë të gjithë në protestë, përkatësisht punëtorët në sektorin e arsimit, shëndetësisë, punëtorët e postës dhe ata që punojnë në minierën Trepça. Në njoftim u tha se ata kundërshtojnë lëvizjet “e njëanshme përshkallëzuese që synojnë dëbimin e popullatës serbe nga Kosova”.

Image

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel - rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme është kritikuar nga faktori ndërkombëtar, që ka argumentuar se vendimi është marrë pa konsultime paraprake.

Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.

Qeveria e Kosovës ka thënë se përgjatë shkurtit do të ketë një fazë tranzitore për këtë vendim dhe serbët do të informohen më mirë për të.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, insiston se vendimi nuk ndalon që serbët të mbajnë dinarë, por ato ka thënë se duhet të konvertohen në euro në rast se do të përdoren për pagesa. Sipas Kurtit, BQK-ja po ashtu nuk e ndalon Serbinë që të vazhdojë të ndihmojë serbët.

Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.

BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës kërkojnë që serbët në Kosovë të hapin llogari në ndonjërën prej bankave komerciale të licencuara.

Shteti serb, më pas, mund t’i nisë fondet në dinarë, por ato me automatizëm konvertohen rrugës në euro.

Ndonëse qindra protestues morën pjesë dhe Policia e Kosovës si dhe pjesëtarë të KFOR-it dhe EULEX-it kishin shtuar forcat e tyre, gjithçka përfundoj qetë dhe pa asnjë incident. /Zëri

 

Image