Maqedonci: 221 pjesëtarë të FSK-së janë larguar gjatë vitit 2023
Foto: Laura Hasani

Maqedonci: 221 pjesëtarë të FSK-së janë larguar gjatë vitit 2023

Aktuale February 12, 2024 - 13:04

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka raportuar në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje.

Gjatë raportimit të tij Maqedonci ka deklaruar se 221 pjesëtarë të FSK-së janë larguar gjatë vitit të kaluar. Prej tyre, ai tha se janë 129 janë ndërprerje vullnetarë e punës.

Para anëtarëve të Komisionit për Siguri, ministri tha ka pasur ankesa nga pjesëtarët e FSK-së gjatë këtij muaji për çështjen e kompensimit. Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje se sa është numri i padive, por që pohoi se ka numër të madh të tyre.

Ai para anëtarëve të Komisionit Për Siguri u shpreh se është validuar regjimenti i parë i këmbësorisë gjatë ushtrimit Defender Europe 23.

Ndërkaq, i pyetur nga kryetari i Komisionit, Bekë Berisha sa e njohin edhe ndërkombëtarët validimin e këtij regjimenti, Maqedonci ka konfirmuar një gjë të tillë.

Gjatë prezantimit të punës për vitin e kaluar, Maqedonci tha se kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 15 shtete.

“Jemi duke marrë pjesë në vazhdimësi në grupin e kontaktit në Ukrainë. Kemi ofruar mbështetje për Ukrainën në disa fusha. Kemi ofruar Qendrën e Kërkim Shpëtimt. Kemi mbështetur edhe me transport të ndihmave”, tha ai.

Gjatë vitit 2024, Maqedonci shtoi se ka pasur rritje të buxhetit prej 100 për qind.

“Gjatë vitit të kaluar është bërë rritja e pagave për Ushtrinë e Kosovës duke vendosur në fokus gradat e ulëta sepse aty ka qenë edhe nevoja më e madhe për ndërhyrje. Grada e ushtarit nga 422 euro, paga është rritur në 588, që nënkupton 39 për qind. Tetari i karrierës nga 465 në 609, është një rritje prej 31 për qind dhe tetari nga 489 euro në 609 që është rritje 31 për qind”, shtoi ai./Telegrafi