Maqedonci: Disa çështje s’mund të ndahen me publikun, kemi rritje të buxhetit për ushtrinë
Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka deklaruar se është dyfishuar buxheti për ushtrinë. Aktualisht, shuma e ndarë është 204 milionë euro nga 102 milionë sa ishte vitin e kaluar.
Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes lidhur me raportin vjetor të punës për 2023, Maqedonci tha në këtë raportim do të flasë edhe për çështje më të ndjeshme, dhe se ajo pjesë e diskutimit s’do të mund të ndahet me publikun.
“Ndër çështjet të cilat do të diskutohen janë edhe çështjet e klasifikuara që besoj që nuk duhet dhe nuk mund të ndahen me publikun dhe mund t’i diskutojmë në pjesën e mbyllur të këtij raportimi”, tha Maqedonci.
Ministri foli fillimisht për programin edukativ “edukimi për siguri” për klasat e 11-ta.
Në vitin e kaluar, Maqedonci tha se në kuadër të këtij programi “janë mbajtur ligjërata në 8 kazerma të Ushtrisë së Kosovës me pjesëmarrjen e 2100 nxënësve”.
“Gjatë këtij viti dhe në vitet në vijim planifikojmë që ta avancojmë këtë program”, tha ai.
“Tashmë në kuadër të Ministrisë së Arsimit është si lëndë zgjedhore ky program”.
Maqedonci lavdëroi punën e ushtarëve të FSK-së në aktivitetet gjatë vitit të kaluar, duke theksuar se ata treguan suksese edhe në angazhimet jashtë vendit.
Ndërsa për buxhetin, tha se e kanë dyfishuar atë.
“Gjatë vitit 2023 kemi rritje të buxhetit ka qenë 102 milionë euro. Rritja e kapaciteteve operacionale gjatë vitit 2022 është shpallur një konkurs për 627 rekrute të ndara në dy grupe të cilat këtë kanë filluar punën si pjesëtarë të FSK-së. Gjatë këtë viti është bërë rritja e pagave për ushtrinë duke pasur në fokus ushtrinë. Ushtarët i është rritur paga nga 422 në 588 euro”, deklaroi ministri.
Kryetari i këtij komisioni nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha, pati një sërë pyetjesh për ministrin. Fillimisht, e pyeti për transportin e ushtarëve, furnizimin me uniforma e pakënaqësinë për pagat.
“A është siguruar transporti dhe uniformat për ushtarët e FSK-së”, pyeti Berisha.
“Sigurimi i transportit prej datës 9 janar është nënshkruar kontrata për transportin e organizuar që janë 12 linja. Te uniformat ka qenë një nder sfidat prej marrjes së detyrës së ministrit të Mbrojtjes. Ne kemi bërë një kontratë emergjente për shkak të nevojës së furnizimit të ushtarëve me çizme. 120 ditë nga dhjetori është nënshkruar kontrata dhe do të filloj furnizimi për uniformat”, deklaroi ministri.
Berisha e pyeti edhe për një shqetësim tjetër, atë të ikjes së ushtarëve nga vendi si shkak i pakënaqësisë me pagat. Ndërsa e pyeti edhe për paditë kolektive nga pjesëtarët e FSK-së.
“Ne kemi pas ankesa gjatë këtij muaji, ankesa individuale bazuar në rregulloren që është hyrë në funksion në vitin 2020 dhe aktualisht nuk kemi numër të saktë të padive që janë ngritur, mirëpo kemi një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve që kanë bërë ankesa”, tha Maqedonci, teksa migrimin e quajti trend global. /eo