Sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Kurti udhëtoi drejt Britanisë së Madhe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Mbretëri të Bashkuar.
Në njoftimin e bërë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti do të marrë pjesë në konferencën ku do të diskutohet për sfidat e sigurisë më të cilat ballafaqohet Ballkani Perëndimor.
“Në qëndrimin e tij njëditor atje, krahas takimeve me zyrtarë të institucioneve, ai do të marrë pjesë në panelin e diskutimit mbi sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Ballkani Perëndimor, të organizuar nga Instituti i Politikave Chatham House”, bëhet e ditur në njoftim.
Kurse, Instituti i Politikave Chatham House derisa ka njoftuar mbi konferencën ka theksuar se shqetësimet e sigurisë nuk janë të reja për kombet e Ballkanit Perëndimor.
“Është një rajon që ka përjetuar paqëndrueshmëri të vazhdueshme etnike, fetare dhe politike, si dhe cenueshmëri ndaj efekteve të luftës në Ukrainë. Ndërsa këto vende kanë kaluar tranzicionin e tyre politik dhe ekonomik, rreziqet mbeten për qeveritë e tyre dhe Evropën”, vijon njoftimi.
Në konferencë do të diskutohet edhe për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe Bashkimin Evropian, si dhe për rolin e Britanisë.