Pas veriut të Mitrovicës, grafite të ngjashme shfaqen edhe në tri komunat tjera veriore – Policia nis hetimet

Pas veriut të Mitrovicës, grafite të ngjashme shfaqen edhe në tri komunat tjera veriore – Policia nis hetimet

Aktuale February 11, 2024 - 12:24

“Kur të kthehet ushtria në Kosovë, jeton Brigada e Veriut” janë grafitet e reja që kanë pushtuar mëngjesin e së dielës, katër komunat në veri të vendit.

Përveç në veri të Mitrovicës, grafite të tilla janë shkruar edhe në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

Të njëjtat janë shkruar në cirilik, me ngjyrë të kuqe dhe të kaltër që përkojnë me ngjyrat e flamurit të Serbisë.

Image
Zveçan

Këto grafite siç duket janë shkruar nga “Brigada e Veriut” e cila nga Qeveria e Kosovës është shpallur organizatë terroriste së bashku me organizatën tjetër të ashtuquajtur “Mbrojtja Civile”.

Lidhur me këtë, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se kanë hapur rast.

“Kemi hapur rast, nuk ka ende persona të dyshuar”, tha aipër Telegrafin.

Kjo nuk është hera e parë që Brigada e Veriut ka bërë grafite të tilla në veri të Kosovës.

Në disa prej tyre ishte thënë, “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu, po presim”.

Po ashtu, dhjetë ditë para sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serb në Banjskë të Zveçanit, vitin e kaluar, në Mitrovicë të Veriut është parë grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Në grafitet e reja në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, përmendet se autore është Brigada e Veriut.

Grafite me mbishkrime identike janë shfaqur në qytetet e Serbisë qysh prej mesit të vitit të kaluar, dhe ato janë bërë prej tifozëve të klubit të futbollit Crvena zvezda.

Grafitet e reja janë parë në veri të Kosovës, në kohën kur serbët janë duke shfaqur pakënaqësi lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ta bërë euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave, dhe duke e pamundësuar kështu përdorimin e dinarit serb për transaksione.

Serbia ndan fonde për serbët në Kosovë dhe ua paguan rrogat, pensionet, dhe ndihmat sociale në dinarë serbë.

Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur edhe shtatë institucione paralele serbe, të cilat Kosova i konsideron ilegale me Kushtetutë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës që të mos marrë vendime që ndikojnë negativisht te komuniteti serb në Kosovë, dhe t’i shmangë tensionet.

Perëndimi ka kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, prej vitit 2011.

Image
Veriu i Mitrovicës
Image
Zveçan