Kurti e bashkë-drejtuesi i SPD-së gjermane flasin për zhvillimet aktuale në vend e rajon

Kurti e bashkë-drejtuesi i SPD-së gjermane flasin për zhvillimet aktuale në vend e rajon

Aktuale February 10, 2024 - 20:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me bashkë-drejtuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil dhe përfaqësues të Fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES).

Fillimisht Kurti i uroi mirëseardhje Klingbeilit për vizitën e tij të parë në Kosovë, raporton Zeri.info.

Bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u diskutua rreth zhvillimeve të fundit në vend e rajon për qeverisjen mbi vlera dhe parime socialdemokrate, marrëdhënieve të forta ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe rreth zgjedhjeve të ardhshme evropiane në pranverë.

“Kurti e njoftoi Klingbeil për rezultatet dhe arritjet e qeverisjes së deritanishme, me theks tek politikat sociale universale që janë prezantuar për herë të parë, siç është ajo e shtesave për fëmijë dhe nëna të reja, dhe për masat e tjera që qëllim kanë rishpërndarjen e rritjes ekonomike”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu ai shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të SPD-së për shtetin e Kosovës dhe zhvillimin demokratik të vendit./Zëri