Halimi:Gjuha e deputetëve të VV-së përballë KPM-së ngjasonte me komitetet e Enver Hoxhës
Foto: Laura Hasani

Halimi:Gjuha e deputetëve të VV-së përballë KPM-së ngjasonte me komitetet e Enver Hoxhës

Aktuale February 10, 2024 - 11:43

Zyrtarja e lartë e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar qasjen e deputetëve të Vetëvendosjes përballë anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Halimi përmes një  postimi në  rrjetin social Facebook ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur në atë Komision ngjanë me komitetet e Enver Hoxhës dhe shton se e gjithë ajo ka ndodhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së ka thënë se Vetëvendosje denigron integritetin e secilit dhe sipas saj kjo është mënyra e tyre e vetme për të kapur gjithçka.

Postimi i plotë:

Deri në fund të mandatit të këtij pushteti, rezultati i vetëm i arritshëm do të jetë, kapja e të gjitha institucioneve të pavarura. E fatkeqësisht askujt nuk po i bëhet vonë, se si ky vend është duke rrëshqit komplet drejt një diktature, pasojat e së cilës ende s’i kemi ballafaquar e do t’i shohim më vonë, kur edhe mendimi do të jetë i kontrolluar!

Veprimet e pushtetit janë më shumë se ndërhyrje politike, janë veprime diktatoriale.

Gjuha e qasja e deputetëve të partisë në pushtet drejtuar anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave i ngjasonte komiteteve të Enver Hoxhës. E gjithë kjo dramë ndodhë si për ironi, në shtëpinë e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Hiç më pak se katër orë, një mbledhje e thirrur si e jashtëzakonshme nga disa deputetë të LVV-së nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, është alarm që duhet të zgjojë vetëdijen e të gjithëve për tendencën e rrezikshme të partisë në pushtet që nëpërmjet fyerjes e atakimit të dinjitetit të individëve të disiplinojë dhe kontrollojë çdo lëvizje që nuk i përshtatet diktatit të tyre.

Ky pushtet denigron integritetin e gjithësecilit, kjo është mënyra e vetme për të kap gjithçka, mbase të vetmen gjë që dinë ta bëjnë e erdhën në pushtet dhe tani po e mirëmbajnë atë!