Kuvendi në Maqedoninë e Veriut shkarkon dy ministra shqiptarë

Kuvendi në Maqedoninë e Veriut shkarkon dy ministra shqiptarë

Aktuale February 10, 2024 - 10:15

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të premten në mesnatë ka shkarkuar dy ministra të Qeverisë teknike nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH), meqë të njëjtit kishin mbështetur propozimin e kësaj partie që në zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen në maj t’i bashkohen bllokut opozitar shqiptar – Lidhja Evropiane për Ndryshim.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe Ministri i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, janë dy ministrat e shkarkuar.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, duke arsyetuar shkarkimin e tyre ka potencuar se “nuk ka vërejtje për punën dhe profesionalizmin e ministrave Mexhiti dhe Aliu, por pas bashkimit të tyre me Arben Taravarin, duhet të largohen, pasi në Qeveri nuk mund të jenë dy subjekte opozitare”.

Në anën tjetër ministri tashmë i shkarkuar, Fatmir Mexhiti, ka akuzuar partitë në pushtet se “shkarkimi i tij është iniciuar për interesa politike” dhe se pas kësaj, sipas tij, qëndron partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Në vend të tyre, të hënën, më 12 shkurt, pritet të emërohen Ilir Demiri si ministër i Shëndetësisë dhe Naim Bajrami si ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, raporton Radio Evropa e Lirë

Seanca ishte thirrur nga kryeministri Talat Xhaferi, pasi një komisioni partiak i Aleancës për Shqiptarët (ASH), që është pjesë e Qeverisë teknike, propozoi shkarkimin e dy ministrave të saj.

Vendimi është marrë pasi dy ministrat dolën publikisht në mbështetje të kryetarit të ASH-së, Arben Taravari për të kaluar në opozitë.

Por, kjo kishte nxitur reagim te një pjesë e partisë që udhëhiqet nga ish-kryetari i saj, Ziadin Sela, kryetar aktual i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët.

Sele për 10 shkurt, ka thirrur Kuvendin për të konstatuar përgjegjësinë, por edhe fillimin e procedurës për shkarkim të Taravarit nga partia.

Por, Taravari ka thënë se Sela nuk e ka mbështetjen e kuvendarëve, pasi shumë prej tyre i kanë dhënë mbështetje qëndrimit të tij për të bërë koalicion me opozitën.