BQK-ja nis fushatën informuese për rregulloren e re, lanson numrin e thirrjeve pa pagesë për serbët

BQK-ja nis fushatën informuese për rregulloren e re, lanson numrin e thirrjeve pa pagesë për serbët

Aktuale February 09, 2024 - 11:54

Banka Qendrore e Kosovës ka nisur një fushatë informuese, e cila vjen pas hyrjes në fuqi të rregullores së re.

BQK-ja, me qëllim të ofrimit të informatave plotësuese, në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme për qytetarët e Kosovës, ka lëshuar në funksion linjën PA PAGESË 0800 222-55.

Kjo linjë është e dedikuar për qytetarët nga komuniteti serb që jetojnë në Kosovë dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht, ka njoftuar BQK-ja.

“Përkujtojmë se Rregullorja për operacione për para të gatshme:

- Nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara;

- Nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK-ja;

- Nuk ndalon transferet nga asnjë shtet; dhe

- Nuk ndalon posedimin dhe kursimin në asnjë valute Jo-Euro (përfshirë dinarin).

Andaj, të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në euro”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

BQK-ja tutje ka kujtuar se qytetarët që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë në secilën bankë, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në llogari pagese për shërbime bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024.

“Vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikrofinanciare (kredidhënëse), si dhe mbi 15 institucione financiare jobankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së”, thuhet në njoftim. /Zëri